E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj: EULEX-i po hetohet

Nga Express më 16 prill 2011 në ora 18:19

Një institut evropian i pavarur është duke e hetuar EULEX-in. Edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Në një intervistë për radion Evropa e lirë, Limaj, i cili njëherësh është nënkryetar i PDK-së, ka theksuar se në EULEX ka njerëz që punojnë me mentalitetin e UNMIK-ut, dhe që vazhdojnë ta shohin Kosovën jo si shtet i pavarur, por si protektorat të UNMIK-ut.

“Kësaj fryme i ka ndihmuar edhe mënyra jonë e qeverisjes, ai mentaliteti jonë servil, dhe kam frikë që këtu po tentohet të mbytet çdo zë i pavarur, po tentohet të mbytet çdo iniciativë që buron nga vendorët, që i shërben vendit”, ka thënë Limaj.

Duke folur rreth pretendimeve të bëra për korrupsion dhe krime lufte, Limaj
ka theksuar se nuk ka asnjë informacion.

“Mund të them që ka ardhur një institut evropian ose një organizatë joqeveritare, institut i pavarur, i cili është duke bërë hulumtime, duke e hetuar EULEX-in dhe ka ardhur konkretisht me mua një kohë, për rreth 4-5 ditë. Ata kanë kërkuar nga unë të jap mendimet e mia rreth tij, sepse ata janë duke e hetuar punën e EULEX-it se sigurisht edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante në të dyja rastet. Unë jam shumë kureshtar të di se a ka ndonjë komision Bashkimi Evropian brenda për brenda për të kontrolluar mënyrën dhe punën se si e përmbush mandatin EULEX-i gjë që kjo tash e tutje do të jetë aktuale, sepse ky institut përmes avokatëve të mi do ta ngre këtë çështje për ta parë se çka po ndodh. Tani për tani asgjë nuk kam”, ka thënë Limaj ndaj të cilit kohë më parë EULEX-i ka lëshuar fletarrest për kinse krime lufte.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›