E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Pejë, regjistrimi i suksesshëm

Nga Express më 16 prill 2011 në ora 18:20

Derisa regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në disa komuna tjera është shtyrë deri të martën, ky proces në komunën e Pejës është përmbyllur sipas parashikimeve të parapara.

Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha ka thënë për Kosovapress,se procesi i regjistrimit ka ruajtur dinamikën e paraparë dhe popullata i është përgjigjur në masë të madhe këtij procesi.

“Një proces kaq i rëndësishëm për Kosovën dhe për komunën tonë, unë falënderoj popullatën që janë përgjigjur pozitivisht këtij procesi, dhe bazuar në të dhënat që kemi komuna e Pejës ka kryer një proces shumë të rregullt të regjistrimit”, ka thënë Berisha.

I pari i Pejës po ashtu njoftoi se nga të dhënat preliminare komuna e Pejës ka të regjistruar mbi 95 mijë banorë dhe sipas tij deri në përmbylljen e procesit do të ketë afër 140 mijë banorë.

“Bazuar në të dhënat që i kemi 30-40 për qind janë popullatë jo rezidente, banorë të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të komunës së Pejës, por që jetojnë jashtë Kosovës, atëherë shifra e popullatës së komunës sonë do të jetë rreth 140 mijë banorë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa sa i përket regjistrimit të popullatës serbe, Berisha ka konfirmuar se këtij procesi i janë përgjigjur mbi 70 për qind e serbëve të Gorazhdecit, fshat ky i banuar ekskluzivisht me serbë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›