E Shtunë, 31 Tetor 2026

As kryengritësit nuk janë engjëj

Ushtria e Baschar Al Assadit po sulmon popullin në Siri. Por as kryengritësit nuk qajnë fortë kokën për jetën e qytetarëve: selitë e tyre qendrore dhe depot e municionit janë vendosur në afërsi të vendbanimeve dhe spitaleve.

“Jemi tërhequr”, deklaroi një kryengritës në periferi të Salahedinit, lagje kjo në jugperëndim të Aleppos, ku po zhvillohen që tashmë disa javë luftime të ashpra. Deri me tani, forcat e Ushtrisë së Lirë të Sirisë ja kishin arritur të zmbrapsnin sulmet e ushtrisë së Baschar Al Assadit dhe atë përkundër faktit se ata u sulmuan ditë dhe natë nga toka dhe nga ajri. Tani duket se falë ofensivës tokësore, forcat e qeverisë ja arritën që të nxisin tërheqjen e kryengritësve.

Televizioni shtetëror i Sirisë njoftoi se qeveria ka nën kontroll Salahedinin dhe shtoi se pjesa më e madhe e “terroristëve” janë vrarë. Fillimisht, kryengritësit e mohuan këtë lajm, por më pas pranuan:”Disa pjesë të Salahedinit po kontrollohen nga ushtria”. Sikurse edhe në maj në Homs, si dhe në qershor në Damask, kryengritësit theksuan se bëhet fjalë për “tërheqje taktike”. Kryengritësit u përballen me probleme logjistike:”Furnizimi me municion ka vazhduar, por më ngadalë se sa duhej”, konfirmoi komandanti i kryengritësve, Abu Salim.

Luftimet në Salahedin po vazhdojnë, ngase humbja e kësaj pjese të qytetit do të ishte e hidhur për kryengritësit dhe frymën e revolucionit.

Tërheqja nga kjo lagje me gjasë do ta frenojë euforinë e kryengritësve. Shumë herët dhe shumë shpesh, ata filluan të japin deklarata për fitoren e tyre. Megjithatë, ushtria e Assadit ka filluar të sulmojë tani kryengritësit nga të gjitha anët.

Organizata për të drejta të njeriut, Amnesty International, në periudhën kohore prej 23 korrikut deri më 1 gusht, duke u mbështetur në fotografitë e satelitëve, ka numëruar mbi 600 kraterë të shkaktuar nga bombat në qytet. “Ne jemi të brengosur për shkak të stacionimit të armëve të rënda afër vendbanimeve brenda dhe përreth qytetit të Aleppos”, u theksua në deklaratën e kësaj organizate. Kjo po rezulton me shkeljen e mëtutjeshme të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtarë.

Para gjykatës mund të kërkohet përgjegjësi nga të dy palët në konflikt, për faktin se nuk po kursejnë dhe nuk po mbrojnë civilët.

Ushtria e Sirisë po hap zjarr pa zgjedhur shënjestrat, duke vrarë popullin e vet. Janë pamje të tmerrshme ato, në të cilat mund të shihet nxjerrja e kufomave të civilëve nga rrënojat e ndërtesave.

Për këtë arsye habit edhe më tepër fakti se kryengritësit nuk po marrin përgjegjësi dhe nuk po qajnë kokën për fatin e banorëve të Aleppos. Selia e tyre qendrore në Al Sahur ishte vendosur në mes të një vendbanimi me popullatë të dendur, ndërsa baza e tyre ushtarake ishin vendosur afër spitalit. Kjo i ka kushtuar me jetë së paku 11 civilëve sirianë. Një bombë e forcave ajrore të Sirisë qëlloi një vendbanim, i cili gjendej në afërsi të qendrës komanduese. Po të ishte goditur baza e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, atëherë pasojat me gjasë do të kishin qenë edhe më tragjike, ngase kryengritësit kishin deponuar një numër të madh të granatave në bodrumin e ndërtesës.

Edhe selia e re e kryengritësve gjendet shumë afër bazës së vjetër-e vendosur në një shkollë, në mes të një vendbanimi, i përbërë nga shtëpi katërkatëshe. Në mes të shtëpive ka hapësira të gjëlbëruara, në të cilat luajnë fëmijët. Mbi ta fluturon një aeroplan luftarak i forcave ajrore të Sirisë. Kësaj radhe ai nuk shkrepë raketat e tij, por sipas të gjitha gjasave, aeroplani do të kthehet sërish. Duket se në Aleppos as kryengritësit nuk janë engjëj, ngase me vendosjen e bazave të tyre në afërsi të vendbanimeve, ata po rrezikojnë jetët e shumë qytetarëve të pafajshëm të Aleppos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›