As mish as peshk

Edhe një herë opozita nuk ka qenë e bashkuar në Parlamentin e Kosovës, në interpelancën e Kryeministrit të thirrur nga subjekti i Albin Kurtit.
Madje, mocioni i propozuar të enjten nga Vetëvendosje nuk ka marrë votat e krejt opozitës.
Me 54 vota kundër, 17 për dhe asnjë abstenim, mocioni i subjektit të tretë politik në Kosovë është hedhur poshtë, i cili kërkonte ndaljen e bisedimeve me Serbinë, dërgimin e forcave policore në veri, heqjen e barrikadave dhe ndërprerjen e financimit për strukturat e Serbisë.
“Kuvendi nuk miratoi mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes”, ka thënë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kur ka lexuar rezultatet e votimit.
Akuzat se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë prej 25 korrikut për normalizimin e gjendjes në veri janë hedhur poshtë nga zyrtarët qeveritarë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar unitet nga pozita dhe opozita për veriun dhe të mos bëjnë fushata elektorale.
Ka paralajmëruar fundin e strukturave serbe në veri.
“Fundi i tyre nuk do të jetë i largët”, ka thënë Thaçi para deputetëve.
“Ata nuk mund të fshihen as prapa fëmijëve as prapa grave. Ne do t’i dallojmë qytetarët e zakonshëm nga kriminelët. Do të mbahen zgjedhjet atje dhe do të vendoset rendi dhe ligji. Nuk do të ketë trajtim të veçantë apo të ndarë të një etniteti, por secili qytetar do t’i gëzojë të drejtat e barabarta”, ka shtuar ai.
Gjatë seancën së Kuvendit për veriun ka pasur qëndrime të ndryshme për gjendjen atje.
Duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës ndaljen e dialogut me Serbinë, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vazhduar të kërkojë që Kosova të vë kushte përballë Serbisë.
“Kjo Qeveri po e shet politikisht dhe ekonomikisht shtetin e Kosovës për pushtet të vetin. I gjithë shqetësimi i saj është si t`ia shesë popullit të Kosovës këtë shitje të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se nga Serbia duhet të kërkohet njohja e Kosovës, të ndryshojë kushtetutën, të kërkojë falje për krimet e kryera, të dorëzojë kriminelët e luftës, t`i kthejë viktimat luftës, të ndërpresë financimin e strukturave paralele etj.
Për dallim prej Vetëvendosjes, partia më e madhe opozitare, LDK u ka dhënë mbështetje veprimeve në veri.
Ismet Beqiri ka thënë se vendimet ‘ad hoc’ nuk japin asnjëherë rezultate dhe ka kërkuar që veriu të mos përdoret për marketing politik.
“Barrikadat më të mëdha për sundimin e rendit dhe ligjit në veri janë strukturat ilegale të përkrahura nga qeveria serbe. Ato duhen eliminuar se janë e keqja më e madhe për qytetarët. LDK mbështet fuqishëm veprimet e KFOR’it, mosnënshtrimin ndaj shantazheve. KFOR’i dhe EULEX’i mbrojnë jo vetëm ligjshmërinë e sovranitetin, por edhe autoritetin e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë ai.
Burim Ramadani i AAK’së ka thënë se partia e Ramush Haradinajt para tri vitesh ka kërkuar të ndërmerren masa në veri, por se ato janë injoruar nga Kryeministri aktual.
“Qytetarët e Kosovës e dinë që ju e keni cilësuar si folkorizëm patriotik për tri vjet, sa herë që AAK-ja ka kërkuar vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor. Ju e keni cilësuar AAK-në të dhunshme dhe të frustruar, sa herë kemi kërkuar ta ndalni kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ju, kryeministër, keni thënë një vit më parë se nuk ka struktura paralele, por ka individë, kurse tani po thoni që ka struktura paralele. Ju keni dështuar në strategjinë për veriun. Nuk e keni përmendur në strategjinë e sigurisë se Kosova ka problem me strukturat paralele”, ka thënë Ramadani.
Ish-zyrtari i AAK’së, tash deputet i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka bërë krahasime të situatës aktuale në veri me kohën kur është çliruar Kosova.
“Në vitin 1999 bandat kriminale serbe ishin duke ikur, kurse tani ato jo që nuk ikin, por ato sulmojnë”, ka thënë Rexhepi.
Por, deputetët e Vetëvendosjes kanë qenë shumë aktivë të enjten në Parlament. Glauk Konjufca i është rikthyer historisë dhe ka gjetur fajtorin për veriun.
“Në vitin 1999 ka qenë tërheqja e parë fatale me urdhër politik, me pas u shpërbë UÇK-ja, ndërsa sërish më 2011 u tërhoqën forcat speciale dhe atje sundojnë strukturat kriminale. Të gjitha këto lidhen me emrin e kryeministrit Hashim Thaçi. Pse kryeministri Thaçi me këto tërheqje sillet sikur të ketë bërë marrëveshje me dikë, sikur nuk guxon ta kalojë vijën e kuqe”, ka thënë Konjufca.
Akuza mes opozitarëve
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në pesë minutat e fundit të seancës, e ka shfrytëzuar kohën për të përmbyllur debatin për veriun për të dhënë vlerësimet për pozitën dhe opozitën.
Ai ka goditur partinë më të madhe opozitare LDK’në, të cilën e ka cilësuar as mish as peshk.
Por, nuk ka kursyer as partitë tjera.
“Kur ki në Parlament deputet siç është Bekim Haxhiu, natyrisht se gjysma e interpelancës shkon duke e ledhatuar Kryeministrin. Edhe kjo nuk është për me u çudit. Mendoj se partia në pushtet është me vazhdu me avazin e vjetër. LDK mendoj që si gjithmonë as mish as peshk, SLS edhe Lëvizja për Bashkim mendoj që e kanë shumë të kollajshme zgjidhjen e problemit të Kosovës se më lehtë është me ia dhënë Serbisë. AKR më kritike, por është te Qeveria. AAK ka qenë dukshëm më kritike me Qeverinë”, ka vlerësuar Konjufca.
Edhe pse pas fjalimit të deputetit të Vetëvendosjes duhej të përfundonte seanca, Sabri Hamiti ka kërkuar fjalën.
Pa përmendur emrin e Vetëvendosjes, ai ia ka mbajtur një ligjëratë Glauk Konjufcës.
“Unë nuk dua të komentoj asnjë politikë të asnjë partie këtu. As të grupeve parlamentare dhe s’e bëjë kurrë. Unë mendoj se ata që notojnë në këtë formë, e kanë gabim. Sepse e folmja e tillë, sidomos kur të bisedohet për çështje të mëdha për Kosovën, nuk është as etikë as politikë. Kaq”, ka thënë ai.
Duke folur me figura letrare dhe me thënie popullore, Sabri Hamiti ka folur për mësimet dhe të rinjtë e Vetëvendosjes.
“Sa për punën e mësimeve e mosmësimeve, të gjithë të edukuemit e rinj e kanë ambicien t’i thonë babës: Hajde babë t`i kallxojmë mexhat e arave, thonë popullorçe. Dhe unë e përfundoj këtu”, ka reaguar Hamiti.