E Shtunë, 31 Tetor 2026

I forti i LDK’së

Arben Gashi, vonë, por vrullshëm ka hyrë në LDK. Ashpërsia me kundërshtarët e jashtëm dhe përbuzja ndaj konkurrentëve të brendshëm i ka siguruar atij statusin e të fortit në LDK.

I tillë shfaqet edhe në një intervistë për Expressin.

Thotë se LDK’ja e shpëtoi Kosovën me Marrëveshjen për Presidentin. Premton se do ta rrëzojnë Hashim Thaçin kur t’i kenë numrat.

Sipas tij, Fatmir Sejdiu nuk mund të jetë kandidat i LDK’së për President.

Express: LDK’ja është partia më e madhe, ndërkohë që shpeshherë duket se partitë e tjera në opozitë janë shumë më aktive në këtë pjesën e të bërit opozitë sesa ju. Si shpjegohet kjo?

Gashi: LDK’ja është aktive në kuptimin strukturor dhe përmbajtjesor në ofertën e saj për qytetarët. Besoj se agjenda politike e shtyrë nga LDK’ja është arritur plotësisht në të gjitha pikat e saj. Le t’i marrim disa raste; elementi kryesor pas zgjedhjeve të vjedhura dhe të manipuluara ka shtyrë LDK’në që të aktivizohet për ndalimin e degradimit të sistemit zgjedhor dhe degradim të Shtetit. Në këtë rast, ne kemi përdorur disa mekanizma ndalese. E dimë se ka qenë proces shumë i dhimbshëm në vendimmarrjen e LDK’së në atë moment, por edhe sot diskutohet dhe do të diskutohet. Por LDK’ja ka vendosur të hyjë në marrëveshje për të garantuar stabilitetin e institucioneve. Mirëpo, në të njëjtën kohë t’i japë edhe disa hapa dhe mekanizma që do të garantonin qëndrueshmërinë e institucioneve të shtetit të Kosovës. Po ashtu, kemi arritur ta aprovojmë agjendën kushtetuese dhe reformën zgjedhore që janë dy kushte të tjera të LDK’së, të cilat janë arritur. Ju realisht mund të pyesni se a është zgjidhja më e mirë kjo dhe a do të duhej LDK’ja ndoshta në atë kohë të mos hynte në marrëveshje dhe të bllokonte sistemin në këtë pikë dhe ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme... T’ju them të drejtën, të jem i sinqertë me ju, edhe unë kam mendimet e mia dhe kam gjithmonë në diskutime me kolegë, edhe në parti, edhe në Parlament, në kuadër të partisë sonë politike, por edhe në debate me partitë e tjera politike, e mendoj dhe e diskutoj se a ka qenë zgjidhja më e mirë që i ka dhënë vendit LDK’ja, apo do të duhej të gjente një zgjidhje tjetër në qoftë se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Atëherë e kemi menduar dhe e mendoj edhe sot, se nëse do të dërgonim vendin në zgjedhje të parakohshme, në atë fazë ne do të përsëritnim tensionin social, sepse qëndrimet tona shkuan në ekstrem.

Express: Megjithatë, ju nënshkruat një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentes, e cila u interpretua nga shumëkush si “vdekje e opozitarizimit të LDK’së”. Tash pas disa muajsh, si e shihni këtë?

Gashi: Mendoj se ne si LDK i kemi dhënë një mundësi vendit dhe kemi garantuar edhe qytetarët e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se ne jemi për të respektuar institucionet dhe për jetë institucionale në këtë vend, edhe me kushtin e dhimbshëm të të qenit në opozitë. LDK’ja ishte para dy alternativave: Të vendoset të çohet vendi drejt një krize, e cila mund të gjeneronte kriza të tjera edhe sociale, edhe ekonomike, edhe kriza të vazhdueshme, ose të rrinte në opozitë me një marrëveshje për çështjet kyçe të reformës për të garantuar qëndrueshmërinë institucionale dhe demokratike të vendit. Ne zgjodhëm këtë të dytën, sepse besojmë thellësisht se duhet t’u japim mundësi institucioneve të Kosovës që të konfirmohen në atë mënyrë sesa më shpejt të bëhet reforma zgjedhore, reforma institucionale dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ky vend ka nevojë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Po në këtë kohë kanë lindur disa probleme të tjera. Cilat janë veprimet e kësaj qeverie ose mosveprimet që i ka ndërmarrë. Ne e kemi parë logjikën e veprimeve negative dhe logjikën e veprimeve në interes të grupeve të caktuara shpeshherë edhe kriminale, të cilat kjo qeverisje i ka marrë dhe veprimet edhe politike, edhe institucionale në dëm të vendit. Vazhdojnë të bëjnë veprime politike dhe institucionale në dëm të vendit.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›