E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po, kthehen

Maja Kocijancic tha se Prishtina dhe Beogradi janë të gatshme të rikthehen në tavolinën e bisedimeve. Sipas saj, Robert Cooper tash po punon për gjetjen e një date të përshtatshme për palët.

Serbia duket të ketë ndryshuar pozicionin e saj kundrejt dialogut teknik me Kosovën.

Ndërmjetësuesit të Bashkimit Europian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, i është konfirmuar gatishmëria e vazhdimit të dialogut nga delegacionet e të dyja palëve, tha Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Shefes për Punë të Jashtme të BE’së, Catherine Ashton.

Megjithatë, ajo theksoi se Cooper ende nuk ka arritur të caktojë datën e saktë për vazhdimin e dialogut.

“Shpresojmë që raundi i ardhshëm i dialogut të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë moment nuk mund t’jua konfirmoj datën e saktë, por ju e dini që ndërmjetësuesi ynë, Robert Cooper, është në kontakt edhe me Prishtinën edhe me Beogradin për ta vazhduar, sa më parë, dialogun”, i tha ajo Radios Europa e Lirë.

Kocijancic bëri po ashtu të ditur se edhe gjatë kësaj jave dhe javës së kaluar, kanë vazhduar konsultimet e grupeve punuese të cilat po merren me mundësinë e fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në raundet e deritashme të bisedimeve.

“Janë duke u mbajtur takime të grupeve punuese, të cilat e vëzhgojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në kontekstin e dialogun dhe këto grupe punuese do të raportojnë të gjitha palët e përfshira në dialog lidhur me rezultatet eventuale”, deklaroi ajo.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›