Veriu më keq se në vitin 1999, sipas VV

Albin Kurtit madje i është krijuar përshtypja sikur kryeministri Thaçi e merr fjalën në seanca në mënyrë që qytetarët ta ndërrojnë kanalin dhe deputetët të shflëtojnë gazeta, ose të luajnë në telefon.
Sipas Kurtit, kryeministri Thaçi bën që qytetarët të bëhet të painteresuar për politikën, ashtu siç, sipas tij, vetë kryeministri nuk është i interesuar për qytetarët.
Ndërkaq Rexhep Selimi ka vlerësuar se gjendja në veri është më e keqe se në vitin 1999.
Gjatë fjalës së tij në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Kurti ka rikujtuar se në interpelancën e 5 majit u pat votuar mocioni në të cilin veç tjerash thuhej se Qeveria duhet të informojë Kuvendin për të vendosur kontrollin, mirëpo asnjëherë nuk e bëri një gjë të tillë.
Duke kundërshtuar bisedimet me Serbinë, Kurti ka thënë se bisedime të drejta do të ishin ato bisedime me kushte për Serbinë.
“Bisedimet e drejta do të ishin ato që i vënë kushte Serbisë. Këto kushte përbëhen nga 10 pika: Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ta ndryshojë kushtetutën, t’i kërkojë falje Kosovës, t’i dorëzojë kriminelët serbë, të kthejë trupat e të pagjeturave, t’i paguajë dëmet e luftës, të ndërpresë dhunën sistematike në Preshevë, të pushojë financimin e strukturave të saj në Kosovë, t’i kthejë depozitat bankare, fondin pensional, librat katastralë dhe së fundi t’i kapë kriminelët serbë që shëtitën të lirë e të pacenuar”, ka thënë Kurti, duke shtuar se bisedimet pa kushte me Serbinë janë sinjal se ajo s’ka nevojë të ndryshojë.
Ndërkaq Ismet Beqiri, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e LDK-së për veprimet e institucioneve në veri të Kosovës, por ka thënë se vendimet ‘ad hoc’ nuk japin asnjëherë rezultate.
Ai ka thënë se LDK-ja e konsideron të gabueshëm vendimin për heqjen e masës së reciprocitetit, ndërkaq ka kërkuar që barrikadat në veri të hiqen sa më shpejt, ngase janë e keqja më e madhe e qytetarëve të veriut.
“Barrikadat më të mëdha për sundimin e rendit dhe ligjit në veri janë strukturat ilegale të përkrahura nga qeveria serbe. Ato duhet eliminuar se janë e keqja më e madhe për qytetarët. LDK mbështet fuqishëm veprimet e KFOR-it, mosnënshtrimin ndaj shantazheve. KFOR-i dhe EULEX-i mbrojnë jo vetëm ligjshmërinë e sovranitetin, por edhe autoritetin e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Beqiri, përderisa ka thënë se veriu nuk duhet të përdoret për marketing politik.
Beqiri me këtë rast i ka rikujtuar kryeministrit Thaçi se është PDK-ja ajo që ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës në tri mandate, përfshi edhe Qeverinë e Përkohshme dhe këtë ia ka rikujtuar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti, por ky i fundit ka thënë se veriu nuk është çështje e një kryeministri dhe nuk është problem që mund ta zgjidhë një kryeministër, sidomos jo nëse personalizohet si problem.
Ndërkaq Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka folur për alternativat që AAK-ja qysh para tri vjetësh, duke thënë se atë kohë ato injoroheshin nga kryeministri Thaçi.
“Qytetarët e Kosovës e dinë që ju e keni cilësuar si folkorizëm patriotik për tri vjet sa herë që AAK-ja ka kërkuar vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor. Ju e keni cilësuar AAK-në të dhunshme dhe të frustruar sa herë kemi kërkuar ta ndalni kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ju kryeministër keni thënë një vit më parë se nuk ka struktura paralele, por ka individë, kurse tani po thoni që ka struktura paralele. Ju keni dështuar në strategjinë për veriun. Nuk e keni përmendur në strategjinë e sigurisë se Kosova ka problem me strukturat paralele”, ka thënë Ramadani.
Për këto struktura, deputeti Sabri Hamiti ka thënë se tani më nuk mund të quhen struktura paralele, por struktura politike dhe me shumë ndikim për veriun e Kosovës.
Kurse Rexhep Selimi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se gjendja në veri të Kosovës, jo vetëm që është më keq se para 25 korrikut, por është edhe më keq se në vitin 1999.
“Në vitin 1999 bandat kriminale serbe ishin duke ikur, kurse tani ato jo që nuk ikun, por ato sulmojnë”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq deputeti i SLS-së, Petar Miletiq ka thënë se dërgimi i policisë në veri nuk do të zgjidhte problemin, por vetëm do të ngriste tensione e që do të mund të shkaktonte probleme.
“Jam i sigurt se të gjithë i ndiejmë politikat negative të së kaluarës. Përgjegjësinë për situatën në veri e ka marrë KFOR-it dhe mendoj se gjenerali i KFOR-it e ka menaxhuar mirë situatën. Dialogu Prishtinë-Beograd do të ishte gabim të ndërpritet. Institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë të gjithëve se dhuna do të dënohet. Ne edhe më tutje nuk do të flasim për rastet provokative. Mendoj se dialogu është zgjidhja e vetme e problemeve. Heqja e dhunshme e barrikadave nuk do të krijonte zgjidhje”, ka thënë Miletiq.
Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaçi nga ligjvënës të tjerë është cilësuar edhe si fjalim i vitit të ri, përderisa kreu i ekzekutivit ka marrë kritika të shumta për hapat e mëtejmë pas 25 korrikut, duke marrë vendim për tërheqjen e forcave speciale nga atje, për heqjen e masës së reciprocitetit dhe për bisedimet me Serbinë.
Në fund të debatit për veriun, pritet që të votohet për mocionin prej katër pikash, të cilin do ta paraqes Lëvizja Vetëvendosje, mes të cilave edhe kërkesa për Qeverinë që të ndërhyjë vetë për heqjen e barrikadave, e mos ta lërë veriun vetëm në dorën e KFOR-it.
Vetëvendosja akuzon Thaçin, Thaçi UNMIK'un
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj lëvizje, Glauk Konjufca ka drejtuar gishtin ndaj kryeministrit Thaçi për gjendjen në veri duke nisur nga përfundim i luftës në vitin 1999.
Ai ka pyetur kryeministrin kush nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së kishte dhënë urdhër që të largohen forcat e UÇK-së nga kjo pjesë e Kosovës në vitin 1999.
Konjufca ka pyetur më tej, pse u mor vendimi për heqjen e forcave policore nga pikat doganore menjëherë pas aksionit të 25 korrikut, për të cilin kishte një mbështetje të përgjithshme të faktorit politik në Kosovë, cili është plani i Qeverisë për zhbllokimin e kësaj pjese të territorit të Kosovës dhe cila është strategjia për mbrojtjen e qytetarëve në veri.
Ai po ashtu ka kërkuar nga kryeministri që t’i qartësojë deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, duke thënë se kryeministri duhet ta bëjë të qartë nëse këto janë deklarata personale të ministrit, apo paraqesin qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.
Veç tjerash, Konjufca ka kërkuar të dijë nga kryeministri nëse ka pasur ndonjëherë marrëveshje të veçantë, të shkruar apo xhentelmene me faktorin ndërkombëtar që nga viti 1999, ngase sipas tij, kryeministri Thaçi me këto tërheqje nga veriu, po sillet sikur po i shkelë disa vija të kuqe për të cilat ka bërë marrëveshje me dikë.
“Në vitin 1999 ka qenë tërheqja e parë fatale me urdhër politik, me pas u shpërbë UÇK-ja, ndërsa sërish më 2011 u tërhoqën forcat speciale dhe atje sundojnë strukturat kriminale. Të gjitha këto lidhen me emrin e kryeministrit Hashim Thaçi. Pse kryeministri Thaçi me këto tërheqje sillet sikur të ketë bërë marrëveshje me dikë, sikur nuk guxon ta kalojë vijën e kuqe”, ka thënë Konjufca.
Ai ka kërkuar nga ligjvënësit që ta mbështesin mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin do ta prezantojë në fund të interpelancës për veriun.
Kryeministri Thaçi ka thënë në fjalën e tij se beson që kërkesa për interpelancë është bërë me qëllimin më të mirë që të diskutohet për situatën në veri të Kosovës, në mënyrë që të informohet gjithë spektri politik, për hapat vendimtar që po merr Qeveria e Kosoëvs në koordinim të plotë më NATO-n dhe EULEX-in për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë.
Ai ka thënë se mirëpret idetë e dobishme që i shërbejnë këtij qëllimi madhor që është prioritet mbi prioritete, është interes shtetëror, e jo debat me motive elektorale, përderisa ka bërë thirrje për unitet të spektrit politik për veriun.
Thaçi ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e strukturave kriminale në veri të Kosovës.
“Fundi i tyre nuk do të jetë i largët, ata nuk mund të fshihen as prapa fëmijëve, as prapa grave. Ne do t’i dallojmë qytetarët e zakonshëm nga kriminelët. Do të mbahen zgjedhjet atje dhe do të vendoset rendi dhe ligjit. Nuk do të ketë trajtim të veçantë apo të ndarë të një etniteti, por secili qytetar do t’i gëzojë të drejtat e barabarta”, ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se veprimi i 25 korrikut ka qenë sovran, veprim i drejtë dhe i menduar dhe i koordinuar mirë me të gjithë faktorët relevantë të sigurisë në Kosovë.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e ka veriun prioritet të prioriteteve, duke investuar vazhdimisht në këtë pjesë. Thaçi ka thënë se qytetarët e veriut për herë të parë e kanë ndjerë dorën e Qeverisë së Kosovës, ngase janë investuar miliona euro në infrastrukturë rrugore, në rindërtimin e shtëpive dhe investime të tjera.
Sa i përket dialogut, kreu i Qeverisë ka thënë se ai është një obligim ndërkombëtar, të cilin e ka pranuar Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria tani i zbaton këto vendime të Kuvendit, si organi më i lartë vendimmarrës.
Debati në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar me qëndrimet e grupeve parlamentare, ndërsa pritet debat i gjatë dhe i nxehtë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Kryeministri Thaçi sot në interpelancë për veriun
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të veçantë për interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me gjendjen në veri të Kosovës dhe pas debatit edhe mund të dilet me ndonjë qëndrim nga legjislativi i vendit.
Kërkesa për interpelancë për veriun ka ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca ka thënë se gjatë kësaj interpelance do të kritikohet Qeveria për qasje joserioze ndaj veriut, përderisa do të ketë edhe një mocion që do të hidhet në votim.
Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës në vend që të sillet si një qeveri e një shteti të pavarur dhe sovran, ajo më shumë po sillet si zëdhënëse të KFOR-it. /kosovapress/