E Diel, 1 Nëntor 2026

Asad gënjen mbarë botën, por ka një aleat të fortë (FOTO)

Share

Më shumë se 5 mijë njerëz janë vrarë gjatë muajve të shkuar në protesta, por presidenti sirian, Bashar Al Asad duket i papërkulur. Gjatë një fjalimi në universitetin e Damaskut ai ka deklaruar se fitorja është afër. Asad mohoi sërish që të ketë ndonjë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit. Nuk ka asnjë provë që është dhënë urdhër për të qëlluar mbi qytetarët, tha Asad, çka bie në kundërshtim me atë që kanë vëzhguar aktivistët e të drejtave të njeriut.

Presidenti sirian tha se kryengritjet në vendin e tij janë një konspiracion i të huajve dhe forcave të tjera rajonale. Kundër terroristëve do përdorim grushtin e hekurt, tha presidenti Asad.

Por duket se presidenti sirian flet me kaq forcë sidomos tani që në portet e tij është edhe e vetmja aeroplanmbajtëse ruse Admirali Kuznezov, një kolos me 2 mijë njerëz në bord. Edhe pse rusët thonë se është vetëm një vizitë rutinë, pritja që i kanë bërë sirianët lë të kuptosh se është një mesazh force. Porti sirian Tartus është e vetmja bazë që i ka mbetur Rusisë në Lindjen e Afërt. Me humbjen e Muamar Gadafit, numri i aleatëve të Rusisë në këtë rajon është reduktuar ndjeshëm, tani është vetëm Siria dhe Algjeria. Në Tartus Rusia ka edhe një pikë mbështetëse prej 600 personash. Por ajo që ka shtuar dyshimet është prania e fregatës ruse Ladny, me një histori shumë të dyshimtë trafiqesh. Mediat e huaja thonë se në Siri kanë sjellë raketa.

Agjencia shtetërore siriane ka shpërndarë me krenari fotot e mëposhtme, që tregojnë aeroplanmbajtësen në portin Tartus dhe ministrin e Mbrojtjes së Sirisë që e viziton atë. Humbja e Sirisë do thoshte shumë për Rusinë, e kjo jo vetëm për miliardat e armatimit, por edhe për miliardat e kontratave të tjera ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›