Rama takon aleatët. Kërkohet sistemi proporcional kombëtar
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka pritur aleatët e socialistëve, në takimin e parë për këtë vit, për të diskutuar mbi situatën politike në vend si dhe për qëndrimin politik të opozitës gjatë muajit në vijim.
Takimi u zhvillua pranë selisë së PS-së, ndërsa në takim morën pjesë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, kreu i PSV91, Petro Koçi, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, si dhe politikani Preç Zogaj.
Pas takimit, Preç Zogaj u shpreh se aleatët kanë dëgjuar fillimisht një raportim të deputetit Damian Gjiknuri në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore dhe më pas ndanë mendimin e përbashkët se kjo reformë nuk duhet të jetë çështje e vetëm njërës palë.
Zogaj deklaroi se opozita mbështet sistemin zgjedhor proporcional-kombëtar dhe do të punojë për realizimin e kësaj kërkese.