E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Lindja e PD-së, ngjarja më e bukur për shqiptarët këto 21 vjet

Share

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka qenë e pranishme gjatë ditës së sotme në Berat, në 21-vjetorin e themelimit të PD-së në këtë rreth. Gjatë fjalës së saj, Topalli është shprehur se lindja e PD-së ka qenë ngjarja më e bukur për shqiptarët këto 21 vjet.

Lindja e një force politike, aq më tepër e një force politike që do ishte një forcë opozitare pas një diktature gjysmë shekullore, është ngjarja më e bukur, lindja e së cilës na mrekullon dhe na bën krenar sot pas 21 viteve, deklaroi Topalli.

Shqiptarët, si çdo herë në historinë e tyre me sytë nga perëndimi, nga vlerat e lirisë, atdhedashurisë, 21 vite më parë ashtu si në Tiranë, Shkodër, Vlorë edhe këtu në Berat u ngritën dhe  krijuan atë që do ishte partia e lirive e të drejtave të njeriut, e të drejtave politike, e të drejtave civile, vijoi më tej Topalli.

Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja nuk ka harruar të numërojë as ato që i ka cilësuar si arritje të qeverisë së demokratëve: U bëmë anëtar të NATO-s, pavarësia e Kosovës u kry, liria e lëvizjes u kry, rruga e kombit u kry, infrastruktura në Shqipëri po kryhet. Ne do të bëjmë, në sajë të dedikimit të ju demokratëve, të çdo shqiptari që ky vendi ynë i dashur, i bukur, në një periudhë të shkurtër të bëhet një Shqipëri e zhvilluar ashtu siç e kanë ëndërruar 100 vite përpara ata që vendosën bazat e shtetit  modern shqiptar, ashtu siç e kanë ëndërruar 21 vite përpara ata që ngritën degën e Partisë Demokratike këtu në Berat, ashtu siç e do çdo beratase dhe çdo shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›