Asad, ushqime për viktimat e bombardimeve të urdhëruara prej tij
Presidenti sirian, Bashar Al Asad, i cili ka tërhequr kritika në gjithë botën për represionin dhe regjimin brutal në disa zona të vendit (ku brenda një viti janë vrarë rreth 9 mijë persona), si dhe gruaja e tij Asma, kanë publikuar në televizionet vendëse pamje të tyre duke shpërndarë ndihma dhe ushqime për viktimat në qytetet e bombarduara nga vetë ushtria e Asad. Pamjet e transmetuara i tregojnë ata sa të mirëpritur janë nga viktimat e luftimeve, në takimin bamirës në stadiumin al-Fahya, në Damask. Bashkë me çiftin presidencial, ishin qindra vullnetarë me kuti kartoni të mbushura me miell, sheqer, vaj gatimit apo makarona për viktimat e luftimeve në Homs. Çifti Asad janë përpjekur gjithnjë të punojnë për imazhin e tyre, por polemikat shpërthyen një vit më parë, kur sapo Asad kishte nisur bombardimet në Homs, gruaja e tij, Asma, 36 vjeçe, u shfaq në revistën Vogue në foto mode e luksi. Imazhet e saj tashmë janë bërë pjesë e fushatës së grave të ambasadorëve të OKB-së në Britani e Gjermani, të cilat gjatë fushatës së tyre kundër represionit në Siri krahasojnë fotot e modelimit të Asmës me ato të civilëve dhe fëmijëve të vrarë në qytetet siriane, gjatë protestave pro demokracisë. Gjatë daljeve të tjera televizive, Asma i ka evituar fustanet e shtrenjtë, duke u paraqitur me veshje të thjeshta apo pulovra, në ndihmë të viktimave. Në Siri pritet të mbërrijnë monitoruesit e OKB-së për planin e paqes.