Më përjashtuan prej Skënderbeut

Ramazan Ndreu
Ramazan Ndreu është dënuar nga Komisioni i Disiplinës që të mos ketë mundësi të drejtojë më në kampionatin shqiptar. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e këtij komisioni, ndërkohë që ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi bombastik i Ndreut. Sipas Disiplinës, trajneri i Kastriotit është ndëshkuar për shkak të sjelljeve të tij të dhunshme, të përsëritura, të cilat tanimë i kanë kushtuar karrierën. Dhuna e ushtruar ndaj zyrtarëve të ndeshjes në Kastrioti-Skënderbeu, që u luajt pa spektatorë në stadiumin e Krujës, është bërë shkak që Ndreu të marrë këtë dënim shembullor e të paprecedentë në fakt, për një trajner të këtij rangu në futbollin shqiptar. Trajneri krutan sapo ishte pezulluar me dy ndeshje për të mos e drejtuar skuadrën e tij, dënim të cilin e konsumoi në Berat, me Tomorin dhe me Skënderbeun në kampionat. Por u duk disi e çuditshme që ai nuk ishte në pankinë edhe në ndeshjen e Kupës po me Skënderbeun. Si justifikim, Federata nxori faktin se gjoja nuk kishte paguar një gjobë dhe delegati i ndeshjes, Besnik Çela, nuk e lejoi të ulej në pankinë. Sakaq, mes këtij të fundit dhe Ndreut plasi sherri, aq sa u shkua edhe në goditje fizike. Vetë Ndreu, i kontaktuar pas vendimit, ka lëshuar një sërë akuzash ndaj Federatës dhe Skënderbeut. “Jam dënuar vetëm për shkak të Skënderbeut. Dihen lidhjet mes këtij klubi dhe drejtuesve të Federatës, ndaj nga frika se Kastrioti do t’i eliminonte në Kupë dhe do luante ndershëm edhe në kampionat, bënë të pamundurën që të më dënonin. Në ndeshjen e kthimit në Krujë nuk u lejova që të ulesha në pankinë, me qëllim që Skënderbeu të mos rrezikonte, dhe ajo që të çudit së tepërmi është fakti se u dërguan 200 forca policie, ndërkohë që ndeshja, siç dihej, luhej pa tifozë. Kjo të lë të kuptosh shumë gjëra. Mua më vjen keq më shumë për tifozët e Krujës dhe për drejtuesit, të cilët mund t’i kem zhgënjyer, por as që dua t’ia di për dënimin, pasi e kisha vendosur para se të më jepnin këtë pretencë se do të largohesha nga ky futboll i kapur totalisht nga mafia”, ka theksuar Ndreu. Dënim maksimal është dhënë edhe për Skraparin, pas ndërprerjes së ndeshjes të së mërkurës me Adën, ku u dhunuan gjyqtarët, të cilët nuk pranuan ta vazhdojnë më tej lojën pas minutës së 43-të. Skraparllinjve u janë hequr tri pikë nga renditja e përgjithshme, humbja e ndeshjes 3-0 në tavolinë, si dhe zhvillimi i 8 ndeshjeve në stadium asnjanës. Te ky klub është dënuar edhe zyrtari Arian Kacille me 8 ndeshje pezullim. KF Lushnja, për hedhje të sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve të saj, është dënuar me një ndeshje pa spektatorë. Ndërsa “çon dëm” sezonin e vet edhe Naftëtari në Kategorinë e Dytë, që sipas Disiplinës ka aktivizuar një lojtar tej rregullave përkatëse të garës. Kuçovarëve u janë hequr tri pikë nga klasifikimi dhe kanë humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë dukë lënë kësisoj të qetë Partizanin në krye të Grupit B, ndërsa “hapin krahun” për Tepelenën, që të synojë ngjitjen një kategori më lart.
Flamurtari: Si finale me Skënderbeun
Drejtues të Flamurtarit dhe futbollistët e vlerësojnë si një finale takimin me Skënderbeun, që do të luhet të dielën në Vlorë. Titullarët e Flamurtarit nuk kanë mllefe për të shfryrë dhe premtojnë se do të zhvillojnë një lojë të bukur. “Të gjitha janë finale, por ajo me Skënderbeun është finale më vete që vlen për një sezon, më tepër për paraqitjen e ekipit, se sa për rezultatin, edhe pse ky është po kaq i rëndësishëm”. Kështu shprehen titullarë dhe drejtues të Flamurtarit, të cilët nuk duan të dështojnë në këtë takim përballë një kundërshtari që gjithmonë e më shumë është parë si një rival i fortë, marr shkas edhe nga ngjarjet e ndodhura në kampionatin e kaluar, apo edhe në përplasjet e herëpashershme me deklarata dhe kundërdeklarata.Tifozët, me autobusë për në Vlorë
Presidenca korçare ka kërkuar mbështetjen për ekipin e Skënderbeut nga ana e tifozërisë. Pritet që të ketë disa autobusë në dispozicion falas për tifozët, ndërkohë që dhe vetë këta të fundit kanë nisur të mendojnë për organizimin. Ultrasit e bardhekuqve kanë lënë një mbledhje për këtë sfidë, dhe për të menduar si do të realizohet mbështetja për kampionët në transfertën e Vlorës. Siç dihet, mes dy tifozërive ka pasur gjithnjë përplasje në dy vitet e fundit, kjo edhe për shkak të rivalitetit që këto dy skuadra kanë pasur në kampionat. Mjafton të kujtojmë se në takimin e fundit sezonin e shkuar në Vlorë, nuk udhëtoi asnjë tifoz korçar, madje në tribunë nuk u pa qoftë edhe një përfaqësues apo drejtues i lartë i klubit korçar.
LEONARD KARAJ