Programi raketor, Panetta: Kina ka ndihmuar Korenë Veriore

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka akuzuar Kinën për asistim në programin raketor të Koresë Veriore. Akuza bëhet një javë pasi vendi i izoluar dështoi në lëshimin e një rakete, e cila nxiti reagime në mbarë botën. Sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga viti 2006 deri më 2009, të gjitha shteteve, duke përfshirë edhe Kinën, u ndalohet ofrimi i ndihmës për Korenë Veriore lidhur me programin e saj të raketave balistike, në aktivitetet bërthamore dhe në furnizimin me armë të rënda. Pekini ka hedhur poshtë zërat për shkeljen e rregullave, megjithëse, një transportues modern i raketave, i cili u pa në paradën ushtarake të 15 prillit në Korenë Veriore, nga disa ekspertë ushtarakë perëndimorë u cilësua me dizajn dhe origjinë kineze.