Vrasja në Maqedoni, PE: Ndikim destabilizues

Evrodeputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur shqetësimet se vrasja e pesëfishtë në Shkup mund të rrënojë raportet ndëretnike në Maqedoni.
Parlamenti Evropian (PE) ditëve të fundit ka në qendër të agjendës zhvillimet e fundit të tensioneve në Maqedoni, pas vrasjes së pesëfishtë.
Evrodeputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur shqetësimet se vrasja e pesëfishtë në Shkup mund të rrënojë raportet ndëretnike në Maqedoni.
Evrodeputeti Riçard Hovit, raportues i PE-së për Maqedoninë ka deklaruar se incidenti tragjik në kushtet aktuale në Maqedoni mund të ketë ndikim destabilizues dhe të shkaktojë dhunë të re.
“Por me rëndësi është që politikanët dhe forcat e rendit të luajnë rolin e tyre”, theksoi eurodeputeti Hovit. Sipas tij, forma të tilla të dhunës nuk ndodhin vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet e tjera të Evropës.
I pyetur se tensionet e fundit a mund të ndikojnë në procesin e integrimit të vendit në BE, eurodeputeti britanik Hovit theksoi se “ka individë që dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë ngjarje, për të shprehur argumentet se nuk është moment i volitshëm që Maqedonia të hyjë në BE dhe në këtë mënyrë të pengojnë procesin.”
Por, sipas tij, BE nuk do të lejojë që të keqpërdoret situata e fundit dhe të shfrytëzohen këto argumente.
Evrodeputeti gjerman Bernd Poselt deklaroi se situata e fundit në Maqedoni është dramatike dhe se duhen aktivitete konstruktive për të rritur mirëbesimin midis komuniteteve.
“Kjo është me rëndësi të madhe. Ne jemi të kënaqur nga deklaratat e kryeministrit dhe presidentit në Shkup, gjithashtu edhe nga deklaratat e kryeministrit të Kosovës lidhur me ngjarjen e fundit. Mendoj se është e nevojshme që të zhvillohen aktivitetet rreth rritjes së mirëbesimit ndëretnik”, deklaroi Poselt, duke shtuar se eskalimi i situatës do të ishte rast që do të shfrytëzohej nga ekstremistët.
Evrodeputeti slloven Jelko Kacion theksoi se vrasja e pesëfisht ka shkaktuar shikimin jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të tërë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Sipas tij, organet e rendit duhet të bëjnë çmos që vrasësit të identifikohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Ata nuk janë as shqiptarë, as maqedonas, as rom, por ata janë njerëz me emër dhe mbiemër. Një krim i tillë mizor ka emër dhe mbiemër dhe andaj duhet identifikuar, arrestuar dhe të nxirren para drejtësisë”, theksoi eurodeputeti Kacin, duke shtuar se situata në Maqedoni është e stërmbushur me emocione të grumbulluara gjatë viteve të fundit.