E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministrja e Jashtme, Harxhi përshëndet lidhjen diplomatike mes Kosovës e Malit të Zi

Tiranë, 16 janar NOA - Zëvendësministrja e
Punëve të Jashtme, Edith Harxhi përshëndeti sot lidhjen e marrëdhënieve
diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në një
prononcim për mediat.

Dal këtu para jush për të përgëzuar në emër
të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, lidhjen e marrëdhënieve
diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kjo është një arritje tjetër e shtetit më të
ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes jo vetëm
marrëdhënieve diplomatike por edhe njohjeve të reja.

Lidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit
të Zi është shumë domethënëse për rajonin, dhe për Ballkanin në përgjithësi, për
vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tre nga
vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë,
Maqedoninë dhe Malin e Zi tha Harxhi.

Harxhi u shpreh se shpreson që shpejt a vonë,
kjo të shkojë edhe me fqinjin e katërt të Kosovës, që është Serbia, dhe
natyrisht të arrihet edhe njohja e plotë e Kosovës nga vende të tjera që janë
anëtarë të Kombeve të Bashkuara.

Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve
të Jashtme të Shqipërisë, vazhdon  gjithë punën e saj të përditshme në çdo
moment duke lobuar për njohje të reja të Republikës së Kosovës dhe mbështet
fuqimisht të gjithë aktivitetin diplomatik të Republikës së Kosovës, jo vetëm
në favor të njohjeve të reja, por natyrisht dhe në rrugën e saj të konsolidimit
të shtetit të ri, gjë që i shërben paqes dhe sigurisë në rajon tha më tej
Harxhi.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›