E Diel, 1 Nëntor 2026

Felaj: PS nesër do të tregojë të vërtetën e hidhur të katastrofës së përmbytjeve

Tiranë, 16 janar NOA Deputetja e Partisë
Socialiste, Ermonela Felaj ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka ripërsëritur
ato që më herët kanë deklaruar të tjerë deputetë të opozitës madje dhe vetë
kreu i kësaj partie, Edi Rama se çdo përpjekje për të manipuluar provat që
tregojnë të vërtetën e katastrofës që përmbyti Shkodrën, katastrofë kjo sipas
tyre e shkaktuar nga dora e njeriut, është e dështuar. 

Çdo përpjekje për të manipuluar opinionin
publik, se vërshimi i ujit që përmbyti veriun  ishte një fatkeqësi
natyrore që ndodh 1 herë në 100 vjet, është gjithashtu e dështuar.

Çdo përpjekje e dëshpëruar për të zhdukur
provat, e të gjithë atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj katastrofe,
që me veprimet apo mosveprimet e tyre, lejuan përmbytjen e më shumë se 11 mijë
hektar toke, sipërfaqe kjo 4 herë më e madhe se ajo mbi të cilën shtrihet
qyteti i Tiranës, është plotësisht e dështuar.

Shqiptarët nesër do të mësojnë të vërtetën.
Shqiptarët nesër do të mund të njihen me faktet, shifrat dhe evidencat që
provojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare dhe të KESH-it për përmbytjen
që shkaktoi tmerrin e mijëra familjeve shkodrane dhe ankthin e një populli të
tërë për fatin e fatkeqëve deklaroi Felaj.

Deputetja socialiste i bëri thirrje të gjithë
shqiptarët, të ndjekin nesër, në orën 10.30, Asamblenë Kombëtare të Partisë
Socialiste, për të mësuar të vërtetën e hidhur të kësaj katastrofe që tronditi
Shqipërinë dhe la qindra familje shkodrane pa banesa, pa prodhim, pa
bagëti, pa shpresë.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›