Seanca e jashtëzakonshme parlamentare, PS; Topalli u kujtove vonë

I themi
sot Sali Berishës, edhe zonjës Jozefina, se seanca e jashtëzakonshme për
zbardhjen e Gërdecit të Ujit që mbyti Shkodrën, do të bëhet nesër, në orën
11.00 nga Partia Socialiste, ku do të prezantohen provat, faktet e shifrat, që
tregojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë
të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra
familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkeqëve. Për të
cilët tmerri do të rifillojë me rikthimin në shtëpi
Tiranë, 16 Janar NOA Zonja Jozefina është
kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën,
për aq kohë sa sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,
seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e
parë e sesionit të ri kuvendor.
Ky ishte reagimi i Partisë Socialiste lidhur
me vendimin e Kuvendit për të mbledhur të hënën pasdite ora 17.00 një seancë të
jashtëzakonshme parlamentare.
Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një
seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur Buna dhe liqeni filluan të
derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për
shoping në Rue Neuve, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e
jashtëzakonshme të rrobave të reja për vitin e ri 2010, - ishte akuza e
deputetit socialist, Tauland Balla.
Zonja Jozefina nuk u kujtua për seancën e
jashtëzakonshme të Kuvendit kur ministri përgjegjës, Dritan Prifti, nuk ishte
në krye të detyrës sepse festonte ne një nga hotelet më të jashtëzakonshëm të
Stambollit, teksa Shkodra dhe veriu përmbyteshin nga papërgjegjshmëria e tij
dhe e Sali Berishës, - vlerësoi Balla.
Kurse komentoi dhe akuzoi njëkohësisht: Sot
që zonja Jozefina po bën një politikë tallëse me fatkeqësinë e Shkodrës e me
Kushtetutën u kujtoj shkodranëve e gjithë shqiptarëve, se deri më datë 13 janar
2010, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, ka harxhuar për udhëtime jashtë
vendit, 7 herë më shumë se të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë të
marrë të gjithë së bashku.
Duke folur me gjuhën e shifrave, Balla tha se
deri tani turistja Jozefina Topalli i ka kushtuar buxhetit shqiptar 756.430
Euro dhe shtoi: Zonja Jozefina ka shpenzuar 2 herë e gjysmë më shumë sesa
Kryetarët e Parlamenteve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë
Herzegovinës të marrë së bashku.
Në këtë pikë, vjen dhe paralelja e PS: I themi
sot Sali Berishës, edhe zonjës Jozefina, se seanca e jashtëzakonshme për
zbardhjen e Gërdecit të Ujit që mbyti Shkodrën, do të bëhet nesër, në orën
11.00 nga Partia Socialiste, ku do të prezantohen provat, faktet e shifrat, që
tregojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë
të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra
familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkeqëve. Për të
cilët tmerri do të rifillojë me rikthimin në shtëpi.
Në përfundim të daljes për media, Balla kërkoi
që Topalli t'i lërë diversionet me seanca të jashtëzakonshme e me djegie
mandatesh të deputetëve socialistë, sepse jo vetëm s'ka ndërmend kush t'ia falë
ato mandate Sali Berishës, por me fuqinë e jashtëzakonshme të popullit do të
djegim mandatin e këtij parlamenti e të kësaj qeverie përmes protestave që nuk
do të ndalen nëse Saliu dhe zonja Jozefina nuk pranojnë të hetohen kutitë ku
mbajnë peng të vërtetën e mandateve të tyre.
e.r/NOA