E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja PS, Rama: Keqardhje, Kodi u lexua gabim

Kryetari i PS hapi sot punimet e Asamblesë Kombëtare. Rama mbrojti qëndrimin socialist mbi kodin duke u shprehur se në hartimin e tij PS ka patur bindje që të garantohet ruajta e votës dhe u shpreh se ndjen keqardhje që ky kod u lexua gabim. 

ELBASAN- Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka nisur punimet në qytetin e Elbasanit. Kryetari i partisë socialiste Edi Rama në fjalën e hapjes së punimeve vlerësoi progres raportin e Komisionit Europian.
Ai theksoi se në këtë raport Partia Socialiste vlerësohet për rolin që ka luajtur porsa i përket reformës zgjedhore. Kreu socialist, duke iu referuar të dhënave të këtij progres raporti, kritikoi qeverinë se nuk ka bërë asnjë hap përpara në luftën kundër korrupsionit dhe përsëriti akuzën se “Kryeministri është i vetë i kapur nga korrupsioni. Berisha dhe klani i tij kanë arritur kulmin”.

Më tej lideri i partisë më të madhe në opozitë duke iu referuar situatës politike, (ku LSI dhe disa parti të vogla kundërshtojnë Kodin e ri Zgjedhor) tha se ky kod është lexuar gabim dhe për këtë ai ndjente keqardhje. “Jemi bërë objektiv i mllefit politik për miratimin e kodit. Ne nuk kemi ndërmend t’u përgjigjemi me mllef, sepse kështu nuk ndërtohet e ardhmja. Në hartimin e kodit PS ka patur bindje që të garantohet ruajta e votës”- theksoi kryesocialisti Rama duke shtuar se zgjedhjet 2009 do të jenë evropiane. Rama bëri thirrje për bashkim duke shtuar se “Reforma në drejtësi nuk realizohet me Berishën”

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›