Kundër Kotbuz, një ndeshje speciale
Ervin Skela
Ervin Skela do të kthehet në Kotbuz për herë të parë si kundërshtar. Mesfushori kuqezi, i rikuperuar plotësisht nga viroza stinore deklaroi: “Jam gati dhe në formë optimale për të ndihmuar Koblencin”. Gjithsesi, situata e 33-vjeçarit është delikate, pasi me trajnerin Sander ai nuk ka luajtur asnjëherë në formacionin titullar. Vlonjati pritet ta nisë edhe sfidën në “Stadion der Freundshaft” nga pankina, por emocionet janë të mëdha. “Nuk kam asnjë problem me trajnerin. Në klubet e mëparshme ku kam luajtur, jam aktivizuar rregullisht. Natyrisht që dua të jem sërish titullar, mbi të gjitha në sfidën me Kotbuz”, shtoi fantazisti shqiptar. “Ndeshja kundër Energi do të jetë mjaft e veçantë për mua: me golat dhe lojën time kam kontribuuar që klubi të luante tri vjet radhazi në Bundesligë”. Një problem më shumë për Skelën mund të jetë afrimi i boshnjakut Anel Xhaka te Koblenci, por kuqeziu shfaqet i qetë: “Lojtarë cilësorë si Xhaka mund ta ndihmojnë skuadrën në luftën për mbijetesë”.
#