Asambleja, debate dhe përplasje në sallë për vendimet e marra
Shaban Sulçe
Vendimi i shumicës së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, si dhe për të depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve ujorë, ka shkaktuar polemika dhe debate të ashpra midis anëtarëve të Asamblesë. Deputeti Ben Blushi dhe anëtarët e Asamblesë, Ylli Manjani dhe Artan Lame, përfaqësues të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, kanë shkëmbyer polemika me kreun e Asamblesë, Gramoz Ruçi dhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ata kanë kundërshtuar vendimet e marra nga Kryesia, duke deklaruar se PS-ja po futet në një rrugë tejet të gabuar.
Bojkoti
Vendimi për bojkotin e zgjedhjeve të PS-së është kundërshtuar ashpër nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi. Blushi tha se Partia Socialiste po tërhiqet nga gjithçka, duke rrezikuar të dalë nga sistemi. Deputeti socialist theksoi se PS-së po i soset durimi dhe nuk do të jetë e largët dita kur ajo do të hyjë në Kuvend. “Partia Socialiste rrezikon të dalë jashtë sistemit duke qëndruar statike në pozicionin e saj të bojkotit. PS-ja po tërhiqet nga të gjitha pozicionet e saj dhe rrezikon që të bojkotojë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi me shumë gjasa kutitë nuk do të hapen. Unë i mbetem detyrimit që një parti duhet të hyjë në zgjedhje”, - tha ai. Sipas Blushit, shumicë nuk bëhesh me protesta, por me zgjedhje. “Ne po i falim qeverisë pesë njësi vendore. Jam me çdo grup që i siguron vota Partisë Socialiste”, - theksoi Blushi në reagimin për mediat.
Përsa i përket vazhdimit të bojkotimit të Kuvendit nga ana e deputetëve socialistë, Blushi tha se një ditë kësaj partie do t’i soset durimi i bojkotit.
“Partia Socialiste do ta humbë durimin duke qëndruar jashtë Parlamentit dhe arsyet për të qenë të pranishëm në Kuvend do të jenë shumë më të mëdha", - tha Blushi.
Ankimimi
Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste kanë kontestuar edhe mënyrën se si Partia Socialiste ka vendosur që të kundërshtojë Marrëveshjen midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve ujorë. Ylli Manjani deklaroi, pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë, se kjo çështje është politike dhe jo juridike. Manjani theksoi se Partia Socialiste nuk mund të sillet sikur të ishte një OJQ, por të ndjekë rrugën politike. “Marrëveshja për ujërat është një çështje politike, dhe aspak politike. Duhet të kemi parasysh që Gjykata Kushtetuese kontrollohet nga Berisha. Por, përveç kësaj, në rast se Gjykata nuk do të gjejë shkelje juridike, çfarë na ngelet ne të bëjmë për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e cila është e lidhur me integritetin kombëtar. Ne kemi 68 deputetë për ta kontestuar këtë marrëveshje. Nuk duhet të sillemi si OJQ”, - tha Manjani.
Ruçi-Rama, përplasje me Manjanin dhe Lamen
Një nga debatet kulmore të mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së ndodhi pikërisht gjatë fjalës së Ylli Manjanit. Ai e cilësoi skandaloze nismën e PS-së për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve me anë të një projektligji që do të firmoset nga 20 mijë zgjedhës. Manjani tha se kjo është e patolerueshme, sepse PS-ja ka 68 deputetë dhe nuk mund të sillet sikur të ishte një OJQ. “Duhet të hyjmë në zgjedhjet e pjesshme. Duhet të pranojmë që Meta-Berisha është shumicë parlamentare. Të dalim dhe të mbledhim 20 mijë firma për të kërkuar hetim parlamentar, kur kemi 68 deputetë dhe votohemi nga 600 mijë zgjedhës, kjo është e patolerueshme. Ky është skandal, po kthehemi në një OJQ”, - tha Manjani. Por fjala e tij është ndërprerë nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, duke deklaruar se një gjë e tillë është e pavërtetë. Fjala e Ruçit është ndërprerë nga Artan Lame, i cili tha se Asambleja ishte kthyer në një teatër, pasi vendimet ishin marrë më parë nga kryetari i partisë. “Shpalos mendimin tënd dhe mos u merr me muhabete kafenesh”, - ka qenë reagimi i Ruçit në drejtim të Lames, ndërkohë që ndaj tij ka reaguar edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i cili i ka kërkuar që të mos flasë pa leje. “O zotëri, mos më fol më këtu se s’të ka dhënë njeri leje”, - ka qenë reagimi i Ramës.
19 Tetor 2009