E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Argumentet ligjore që kemi kundër Marrëveshjes për ujërat



Sulçe
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, do të jetë mbrojtësi i ankimimit që 6 parti opozitare kanë nënshkruar kundër Marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Avokat Ngjela është përzgjedhur nga forcat opozitare për të qenë përfaqësuesi ligjor në seancën gjyqësore që do të zhvillojë Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë çështje. Sipas Ngjelës, ankimimi ndaj kësaj marrëveshjeje është bërë mbi bazën e Nenit 3 të Kushtetutës, i cili shprehet për shenjtërinë e sovranitetit territorial të vendit. Ish-deputeti i PD-së ka zbuluar dje dy nga argumentet e forta ligjore mbi të cilat do të kërkohet anulimi i kësaj marrëveshjeje. Argumenti i parë ka lidhje me një ngjarje historike të ndodhur më shumë se 60 vjet më parë, ndërsa i dyti ka lidhje me një fakt aktual logjik.

Argumenti i parë
Pretendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes se nga kjo marrëveshje nuk falet asnjë milimetër territor ujor, Ngjela do t’i kundërpërgjigjet me një fakt të bujshëm historik. Sipas tij, një pjesë të ujërave që do t’i dhurohet shtetit grek është njohur ndërkombëtarisht si territor shqiptar, madje një incident i ndodhur aty në fund të Luftës së Dytë Botërore ka bërë që Shqipëria të paguajë dëmshpërblim ndaj shtetit anglez. Argumenti i referohet ngjarjes së ndodhur në afërsi të Kanalit të Korfuzit më 22 tetor të vitit 1946, ku katër luftanije angleze ranë në territor ujor të minuar dhe, si rezultat, më shumë se 46 pjesëtarë të flotës së saj ushtarake humbën jetën. Për këtë ngjarje u akuzua shteti shqiptar, pati një gjyq ndërkombëtar në Gjykatën e Hagës, e cila vendosi që Shqipëria t’i paguante dëmshpërblim shtetit anglez. Sipërfaqja ujore ku ndodhi incidenti sot përfshihet në Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe sipas kësaj marrëveshjeje, kjo sipërfaqe i kalon shtetit grek. Atëherë, përderisa Shqipëria ka paguar dëmshpërblim për një ngjarje të ndodhur në këtë sipërfaqe ujore, e njohur ligjërisht si territori i saj, kjo do të thotë se pretendimi i Ministrisë së Mbrojtjes se nuk po falet asnjë milimetër territor, është i pavlefshëm.

Argumenti i dytë
Argumenti i dytë mbi të cilin do të hidhet poshtë pretendimi se nuk i falet asnjë milimetër territor ujor Greqisë është një argument shumë i thjeshtë logjik. Sipas Ngjelës, në rast se nuk po i dhurohet territor ujor Greqisë, pala shqiptare nuk ka asnjë arsye për të nënshkruar një marrëveshje nëse sipërfaqja ujore nuk është në juridiksionin e saj. “Nëse këto territore ujore nuk janë pjesë të shtetit shqiptar, atëherë përse duhet të nënshkruante qeveria shqiptare një marrëveshje me qeverinë greke në lidhje me këtë çështje?” - ka deklaruar Ngjela gjatë në interviste televizive. Marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke ka shkaktuar polemika të shumta. Opozita dhe specialistë të shumtë kanë akuzuar qeverinë se kjo marrëveshje është antishqiptare, pasi i dhuron një sipërfaqe të jashtëzakonshme ujore shtetit grek.

Pakti me Greqinë, sot ankimimi i opozitës në Kushtetuese

Opozita do të depozitojë ditën e sotme ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Në fakt, depozitimi në Kushtetuese i këtij ankimimi ishte parashikuar të bëhej gjatë javës së kaluar, por shkak për këtë shtyrje u bë vendimi i Kuvendit për ta shtyrë pa afat ratifikimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas presionit mediatik në rritje. E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës, në datën 19 tetor, Marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare. Në të nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ditën se kur do të bëhet ratifikimi i saj. Gjashtë parti opozitare, të majta e të djathta, kanë nënshkruar dokumentin, në të cilin i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të shprehen për kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së dy qeverive për ujërat territoriale shqiptare.

Ankimimi, 6 parti opozitare nënshkruan draftin

Gjashtë parti të opozitës, të kryesuara nga Partia Socialiste, nënshkruan javën e kaluar draftin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë greke për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Drafti është nënshkruar gjatë takimit që kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi me kreun e PDK-së, Nard Ndoka, me kreun e PLD-së, Spartak Ngjela, kreun e G99-s, Erion Veliaj, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreun e PDS-së, Paskal Milo. Drafti është përgatitur nga deputeti socialist Saimir Tahiri dhe objekti i ankimimit është Marrëveshja që ka nënshkruar qeveria shqiptare me qeverinë greke për dhurimin e territorit ujor shqiptar. Partitë opozitare do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të rrëzojë Marrëveshjen midis dy vendeve, pasi sipas opozitës, një marrëveshje e tillë përbën shkelje të rëndë të sovranitetit territorial të vendit. Opozita synon të bllokojë dhe të rrëzojë këtë marrëveshje edhe pa qenë e pranishme në Kuvend. Për këtë arsye, rrugëzgjidhja është parë te Gjykata Kushtetuese, për të cilën ajo do të depozitojë ankimimin. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar të paligjshme këtë marrëveshje do të bënte që Kuvendi i Shqipërisë të mos kishte mundësinë që të ratifikonte Marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve.

Opozita, protesta përpara Kuvendit kundër Marrëveshjes

Opozita do të organizojë dy protesta të njëpasnjëshme të enjten e ardhshme për të kontestuar Marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve ujorë midis dy vendeve. Protesta do të zhvillohet ditën e enjte, përpara selisë së Kryeministrisë, selisë së Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme. Një gjë e tillë u pohua nga kreu i G99-s, Erion Veliaj. “Do të përballen me të gjithë revoltën qytetare. Ajo që do të organizojmë ditën e enjte, në mbledhjen e ardhshme të Parlamentit, janë 2 protesta, një para godinës së Ministrisë së Jashtme. Protesta e dytë do të jetë një orë më vonë, në orën 5, kur mblidhet Parlamenti, me të gjithë të rinjtë e Shqipërisë. Ftoj me këtë rast të gjithë ata djem dhe vajza të reja, që besojnë që të jesh shqiptar nuk ka dalë jashtë mode dhe është po aq europiane të jesh patriot sa dhe çdo vend tjetër, ndaj u kërkoj të gjithë të rinjve shqiptarë që të na bashkohen në orën 4:00, të enjten e ardhshme, përpara Ministrisë së Jashtme, dhe në orën 5:00 para Kuvendit të Shqipërisë, për të treguar që burrat, vajzat, djemtë e ndershëm të Shqipërisë nuk mungojnë, do të jenë aty atë ditë për të reaguar”, - ka deklaruar Erion Veliaj ditën kur opozita nënshkroi draftin e ankimimit ndaj kësaj marrëveshjeje.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›