Rama: “Bojkoti do të vazhdojë. Kushtetuesja të pranojë ankimimin e PS-së për Marrëveshjen e ujërave”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare, tha se Partia Socialiste do të vijojë bojkotin për sa kohë që maxhoranca refuzon të hapë kutitë e votimit. Rama tha se PS-ja po kërkon të drejtën e saj dhe refuzon të hyjë në Parlament, në mënyrë që të mos bëhet bashkëfajtore e krimit elektoral të 28 qershorit. “Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera. Sepse ne nuk kemi iluzionin që mund të ketë nesër zgjedhje të lira dhe të ndershme me Sali Berishën në pushtet, në qoftë se sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve”, - tha Rama.
Kreu i PS-së foli gjithashtu edhe për Marrëveshjen midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke për përcaktimin e kufijve detarë. Rama kërkoi që Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e drejtë për këtë çështje. “Dhe së fundi do të ndalem te Marrëveshja e kufijve detarë, si një shprehje tjetër e nivelit mizerabël të moralit dhe të etikës qeverisëse, moral dhe etikë që janë deformuar thelbësisht për shkak të atyre interesave për të cilat fola më lart, për të cilat kemi folur dhe do të flasim përditë e me më shumë forcë. Asnjë transparencë dhe vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëri përballë diskutimesh dhe konkluzionesh konkrete të ekspertëve të fushës. Diskutime dhe konkluzione që nxjerrin në pah se bëhet fjalë për një marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me interesin kombëtar, dhe kjo është arsyeja pse ne u bëmë nismëtarë të një ankimimi në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar në hullinë e duhur këtë çështje. Duke kërkuar nga Gjykata më e lartë e vendit të ushtrojë të gjithë kompetencën e saj dhe të japë një konkluzion bazuar në një ekspertizë të imët, në mënyrë që kjo çështje, e cila është një çështje kaq e ndjeshme me plot të drejtë dhe e cila ka prekur çdo qytetare dhe qytetar të këtij vendi, të trajtohet me dinjitetin e duhur dhe të mos kthehet në asnjë mënyrë në një burim për ta devijuar këtë debat kaq të rëndësishëm në një debat të rëndomtë, të ushqyer me pasionet të panevojshme dhe për më tepër pastaj të instrumentalizuar në dëm të një marrëdhënieje, e cila për Shqipërinë është një marrëdhënie strategjike”, - tha Rama.
19 Tetor 2009