Asambleja e KE-së miraton rezolutën, rrëzon propozimet e PD-së
PD-ja propozoi që situata të mos cilësohet krizë dhe të mos i jepet rol Presidentit
Eljona Ballhysa
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi dje me 86 vota pro rezolutën për krizën politike në Shqipëri, ndërsa rrëzoi propozimet e paraqitura nga Ilir Rusmali, deputet i Partisë Demokratike. Nëpërmjet delegacionit zyrtar të përfaqësuar nga PD-ja u propozuan në Asamble që situata në Shqipëri të mos cilësohet si krizë politike. Rusmali gjithashtu propozoi që të mos i jepet rol Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të organizuar një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike. Një tjetër propozim i PD-së ishte që në Shqipëri të mos vijnë për të monitoruar situatën raporterët e KE-së. Por të gjitha këto propozime të PD-së u rrëzuan nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, e cila votoi rekomandimet e raporterëve Jako Lakso dhe David Wilshire. Dy raporterët e cilësojnë situatën në Shqipëri një krizë politike që dëmton mirëfunksionimin e institucioneve demokratike dhe që duhet zgjidhur sa më parë. Ata propozojnë që KE-ja të ndikojë më shumë në zgjidhjen e krizës, që t’i jepet fund bojkotit dhe që maxhoranca të hapë rrugën për hetimin e zgjedhjeve. Po kështu, në rezolutë nxitet presidenti Topi që të marrë nismën për të organizuar një tryezë bisedimi.
Debati
“Ne besojmë se në Shqipëri ka vërtet një krizë. Ne jemi këtu për të kërkuar një angazhim më të madh të KE-së për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Parlamenti nuk është demokratik, dhe kjo duhet të marrë fund. Ka ardhur koha që KE të marrë pjesën e tij, të angazhohet për zgjidhjen e kësaj krize dhe të kthehet demokracia e institucioneve”, - është shprehur raporteri britanik David Wilshire, i cili është bashkëhartues i rezolutës së miratuar në seancën e djeshme në Asamblesë së KiE-s.
“Duket se fjala krizë ka një kuptim tjetër në Shqipëri, sesa këtu në Strasburg. Por atje është një krizë politike e rëndë. Partia qeverisëse dhe opozita duhet patjetër të dialogojnë. Ne kemi një eksperiencë të gjatë në angazhimet e Shqipërisë si dhe në kapërcimin e situatave të tilla. Një komitet i KE-së e vizitoi Shqipërinë në vitin ‘97 dhe paraqiti një sërë rekomandimesh. Në atë kohë Shqipëria përballej me një krizë të rëndë politike dhe ekonomike, por rekomandimet e KE-së u morën parasysh dhe partitë u angazhuan në zgjidhjen e krizës. Ndaj ne mendojmë se një ndërhyrje e KE-së në këtë moment krize në Shqipëri është e nevojshme”, - është shprehur bashkëhartuesi tjetër i rezolutës, Jako Lakso. Ndërkaq, partitë popullore europiane, që janë partitë e spektrit të djathtë, lobuan në ndihmë të PD-së për të hequr nga rezoluta fjalën “krizë politike” duke e zbutur situatën. Kështu, deputetët e djathtë e cilësuan të papranueshme faktin që opozita i nxjerr njerëzit në shesh dhe që nuk futet në Parlament. Ata bënë thirrje që t’i jepet fund bojkotit dhe që opozita të respektojë rregullat e demokracisë, midis të cilave, humbjen në zgjedhjet parlamentare. Ndërsa përfaqësuesit e majtë në Asamble mbështetën rezolutën dhe i bënë thirrje kryeministrit Berisha që t’i japë fund sulmit ndaj opozitës dhe të gjejë mënyrën për zgjidhjen e krizës.
Delegacioni shqiptar
Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në KE dhanë argumentet e tyre për pranimin e amendimeve. “Këto zgjedhje ishin me një sistem elektoral që u kërkua nga opozita. Asnjë problem nuk u vu re me identifikimin e votuesve dhe me listat e zgjedhësve. Çdo votë është filmuar. Komisionerët, si të PS-së, ashtu dhe të PD-së, certifikuan zgjedhjet. Zgjedhjet përmbushën një pjesë të madhe të standardeve. Nuk pati asnjë provë që të vërtetonte se kishte parregullsi në zgjedhje. Këto zgjedhje janë më të mirat që vendi ka pasur ndonjëherë. Lideri i opozitës nuk i respekton rregullat e demokracisë, sepse ka problem me respektimin e tyre. Ai refuzon ligjin elektoral që e ka propozuar vetë, refuzon administratën elektorale, Parlamentin, refuzon rezultatin e zgjedhjeve. Ai e di se gjykatat në Shqipëri janë të pavarura dhe se vendimet e tyre nuk mund të ndryshohen, përveç mjeteve demokratike. Ai refuzon të dërgojë prova në zyrën e prokurorisë, edhe pse thotë se ka shumë prova. Ai nuk merr parasysh kërkesën e ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund bojkotit. Situata nuk është e dëshpëruar, pasi thirrjet për kundër bojkotit po vijnë nga të gjitha anët dhe duhen dëgjuar. Ju bëj thirrje në emër të delegacionit shqiptar të votojnë amendamentet sepse ne jemi njerëz që jetojmë atje dhe e dimë me siguri sepse në Shqipëri nuk mund të kthehet më situata e vitit ‘97”, - është shprehur kryetari i delegacionit shqiptar, Ilir Rusmali. Ndërsa anëtarja Lajla Përnaska e konsideroi bojkotin e opozitës si një mjet që përdoret nga Rama për qëllime personale. “Kjo rezolutë ka nevojë për amendamentet. Kryetari i PS-së e përdor bojkotin për qëllimet e tij personale. Ai po ushtron presion të madh brenda partisë së tij për të vazhduar bojkotin, ndërsa institucionet në Shqipëri po vazhdojnë punën normale”, - është shprehur Pernaska.
Propozimet
Delegacioni shqiptar propozoi zbutjen e rezolutës. Pjesa më e madhe e amendamenteve të PD-së ishte që të hiqej përcaktimi i situatës politike në Shqipëri si një krizë politike. Por ky amendim është rrëzuar nga Asambleja. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e legjitimuar bojkotin. Zoti Gross tha në fjalën e tij se përcaktimi i situatës si krizë është e justifikuar dhe ne jemi dakord me ketë. Ne duam të dërgojmë një mesazh. Duam të bëjmë diçka konkrete për Shqipërinë. Zonja Pernaska tha se nuk duhet dramatizuar situata, por unë nuk jam dakord me të”, - është shprehur raporteri Wilshire, i cili kundërshtoi amendamentin e PD-së. Një tjetër amendament i PD-së ishte që të mos i jepet rol negociatori presidentit Topi, por dhe kjo është rrëzuar me shumicë votash nga Asambleja. “Ne po propozojmë që të tregojmë solidaret për Shqipërinë. Zoti Rusmali, ju propozoni që ne të fshijmë çdo fjalë që kemi propozuar, që ne të ndihmojmë presidentin Topi që të ushtrojë influencën e tij për partitë politike dhe ju propozoni që ne ta fshijmë këtë. Nuk është logjike kjo që ju propozoni, nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen. Ne e njohim zotin Topi shumë mirë dhe e mbështesim atë, e ndihmojmë që të zgjidhë krizën”, - është shprehur bashkëraporteri i KE-së, Lakso. Një tjetër amendament i PD-së ishte që të hiqej e drejta e raporterëve të KE-së për të ndikuar në zgjidhjen e krizës. Rusmali argumentoi se raporterët e KE-së shkojnë në ato vende ku cenohet demokracia, por në Shqipëri, sipas tij, nuk është cenuar demokracia. Edhe ky amendim është rrëzuar nga Asambleja. “Kemi pasur një përvojë të gjatë me Shqipërinë dhe ne kërkojmë një angazhim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Vihet re një vetizolim i Shqipërisë që nuk pranon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve”, - është shprehur raporteri Lakso, i cili rrëzoi argumentet e dhëna nga Rusmali.
Amendimet e PD-së
-Të mos cilësohet krizë politike situata në Shqipëri. Vendi po përmbush detyrimet e përcaktuara nga ndërkombëtarët. Institucionet po punojnë normalisht.
-Të mos ketë rol negociatori Presienti i Republikës. Opozita duhet t’i jap fund bojkotit. Zgjedhjet më të mira që vendi ka pasur ndonjëherë.
-Raporterët e KE-së nuk kanë pse të monitorojnë Shqipërinë. Në Shqipëri nuk është cenuar demokracia.
Rezoluta e miratuar
-Asambleja Parlamentare vëren me keqardhje se kriza politike dhe institucionale ka paralizuar politikën në Shqipëri.
-Ne mbështesim të gjitha nismat, duke përfshirë atë të presidentit Topi për të bashkuar të gjitha partitë politike shqiptare.
-Ne mendojmë se një tryezë e rrumbullakët bisedimi, ku të bashkohen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike.
-Këshilli i Europës e ka detyrë statutore për të ndihmuar shtetet anëtare që të gjejnë zgjidhjen e krizave politike nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese.
Lohan: “Në Shqipëri nuk funksionon demokracia parlamentare”
Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i ka dhënë edhe njëherë leksion demokracie klasës politike shqiptare. Ai ka kërkuar nga klasa politike që të paraqesë prioritetet për vendin, ndërkohë që Bashkimi Europian po përgatit opinionin për Shqipërinë. Gjatë një takimi në Forumin e tretë Rajonal të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin kufitar, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Lohan u shpreh se vendi ka nevojë për një demokraci parlamentare. Sipas tij, demokracia parlamentare dhe funksionimi i plotë i demokracisë është shumë i rëndësishëm, duke nënvizuar se këto janë dy kushte me rëndësi për integrimin. Nga ana e saj Bregu u shpreh se kërkesa e Partisë Socialiste pranë KE-së është e pashembullt. “Ajo që ndodhur me PS-së në Strasburg është e pashembullt. Është e turpshme të kërkosh kthim mbrapa. Kjo nuk bëhet në interes të shqiptarëve”, - u shpreh Bregu.
29 Janar 2010