PD: Disponojmë fakte se deputetja Arta Dade ka lidhje me organizata kriminale
Partia Demokratike ka sulmuar dje deputeten e Partisë Socialiste, Arta Dade, si të lidhur familjarisht me eksponentë të krimit. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se PD-ja disponon prova të qarta fotografike që faktojnë se Arta Dade dhe familja e saj është e lidhur me 100 fije me organizatën më të rrezikshme kriminale, atë të Hakmarrjes për Drejtësi. Në këtë foto shohim qartë dy koli, pra dy pako që djali i Arta Dades, Alban Dabulla, ia dërgon me postë Orik Shytit, njërit prej eksponentëve të organizatës më të rrezikshme kriminale “Hakmarrje për drejtësi”. “Dhe janë pikërisht lidhjet e krimit ato që e shndërrojnë Daden në njeriun më të besuar dhe zëdhënësen e jashtme të Edvin Kristaq Ramës. Daden dhe Ramën i bashkon Aldo Bare dhe ‘Hakmarrja për drejtësi’. Pra zonja, që në emër të Ramës kërkon përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Europës, nuk është gjë tjetër dhe kjo foto e fakton, veçse ndrikulla e Hakmarrjes për Drejtësi, që zbaton urdhrat e kumbarit Edvin Kristaq Rama", - deklaroi Mëhilli
29 Janar 2010