Marrëveshja me Greqinë, Godo: “Kufijtë mes dy vendeve të përcaktohen nga NATO”
Eljona Ballhysa
Pas rrëzimit të Marrëveshjes së kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar dje historiani Sabri Godo. Politikani i vjetër Godo ka përshëndetur vendimin e Kushtetueses dhe ka dënuar reagimin e Greqisë rreth kësaj çështjeje. Ai ka kërkuar që qeveria shqiptare t’i tregojë shteti fqinj se deri ku është kufiri ku ai mund të ndërhyjë. Sipas Godos, Greqia nuk ka të drejtë të komentojë vendimet e gjykatave shqiptare. Më tej politikani sugjeron që për përcaktimin e kufijve midis dy shteteve të kërkohet ekspertizë nga NATO-ja dhe gjithçka të vendoset me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve, pasi është një çështje delikate.
Reagimi
“Duket se politikanët grekë ia kanë marrë dorën duke na treguar gjithmonë se çfarë duhet e s’duhet të bëjmë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim i gjykatës shqiptare, dhe me gjykatat tona nuk ka punë Ministria e Punëve të Jashtme greke”, - është shprehur Godo. Ai vuri në dukje se zyrtarisht duhet t’u tregojmë fqinjëve deri në çfarë pike duhet të ndërhyjnë në punët e një shteti tjetër. “Për koincidencë, 10 ditë me parë ishte Greqia ajo që na përshëndeti për regjistrimin etnik të popullsisë, ndërsa sot, po Greqia na kërkuaka sqarime për vendimet e gjykatave tona. Mbështes ruajtjen e marrëdhënieve reciproke mes dy vendeve, por Ministria e Punëve të Jashtme duhet të përdorë gjuhën e duhur për t’i treguar fqinjëve se deri ku mund të ndërhyjnë”, - është shprehur Godo.
Zgjidhja
Historiani propozoi që zgjidhja për këtë çështje të vijë nga brenda NATO-s. Sipas tij, duhet të ngrihet një strukturë ndërkombëtare e paanshme për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve. “Tani mendoj se duhet vepruar me mend që të studiohen mirë objeksionet që ka bërë Gjykata Kushtetuese, të cilat më duket se janë serioze dhe qëndrojnë dhe të kërkohet ndërhyrja e zgjidhjes që është rinegocimi me Greqinë. Unë kam shfaqur që në fillim të debatit mendimin se do të duhej në këtë rast të thirrej një ekspertizë ndërkombëtare, strukturat e të cilave merren me probleme të tilla të pakteve detare. Mbase mund të kërkohet edhe asistenca e ndonjë strukture të NATO-s”, - është shprehur Godo. Ai shtoi se Greqia duhet ta njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ekspertiza ndërkombëtare do të bënte të mundur arritjen e një marrëveshjeje të arsyeshme midis vendeve. “Në kushtet që janë krijuar më duket se një ekspertizë e huaj do të ishte në dobi të dyja palëve që kanë për të kontestuar, domethënë ndërmjet nesh dhe Greqisë. Kjo do të më dukej si zgjidhja më e drejtë. Grekët duhet të njohin këtë fakt, që është një vendim i një institucioni juridik suprem, sepse ata janë pasardhësit e Sokratit, i cili, për të respektuar ligjet e vendit të tij, piu helmin. Këtu nuk është rasti të pijë helmin ndokush. Por, duhet të arrihet në një marrëveshje të arsyeshme që të jetë e barabartë për të dyja palët”, - nënvizoi ai. Reagimi i Godos vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e paktit detar "Për delimitimin e zonave përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e ujërave detare, reagoi një ditë më parë Athina zyrtare, që e quajti këtë vendim “një zhvillim negativ". Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Drucas, u shpreh i shqetësuar për këtë vendim dhe theksoi se qeveria greke mbetet në pritje të shpjegimeve nga pala shqiptare.
Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, paraqiti letrat kredenciale
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi, paraqiti letrat kredenciale para Presidentit të Republikës së Serbisë, Boris Tadiç. Me këtë rast, ambasadori Çaushi e siguroi presidentin Tadiç për vullnetin e mirë të qeverisë shqiptare për përparimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh me Serbinë. Ambasadori Çaushi vuri në dukje aspiratën e përbashkët të të dyja vendeve për t’u integruar në BE, duke theksuar dëshirën e sinqertë të palës shqiptare për të punuar bashkërisht në këtë drejtim. Presidenti Tadiç shprehu bindjen se pala serbe ndan të njëjtin mendim se të dy shtetet gjenden në një moment kyç të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe theksoi se zhvillimi i tyre do të merrte një impuls të ri me nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve, të cilat do t’i shërbenin jo vetëm interesit reciprok të vendeve, por edhe si shembull inkurajimi për mbarë rajonin, për stabilitetin e prosperitetin e tij. Presidenti Tadiç theksoi interesin për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë dhe bindjen se ekziston një vullnet i përbashkët dhe potenciale të mëdha bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Më tej, presidenti Tadiç shtoi se BE-ja është objektivi strategjik i përbashkët i të dy vendeve dhe se bashkëpunimi në këtë drejtim do të ketë rendësi të veçantë, pasi vizioni për një të ardhme të rajonit në familjen e kombeve europiane i shërben edhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Topalli takon drejtorin e ri të USAID-it në Shqipëri, merr mbështetje për Shkodrën
Drejtori i ri i USAID-it në Shqipëri, Xhozef Uilljams, i shoqëruar nga ambasadori amerikan Withers, zhvilluan dje një takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se kontributi i USAID-it në Shqipëri ka qenë dhe mbetet shumë i rëndësishëm, veçanërisht në rritjen e transparencës përmes projekteve efikase dhe konkrete. Kryetarja e Kuvendit falënderoi në mënyrë të veçantë për ndihmën që USAID-i dhe Shtetet e Bashkuara dhanë për kapërcimin e situatës së vështirë të përmbytjeve në fatkeqësinë natyrore në Shkodër. Zoti Ulliams tha se vlerëson gjithçka që shteti shqiptar bëri në kapërcimin e emergjencës në Shkodër dhe siguroi se ndihma e USAID-it do të vijojë deri në rehabilitimin e plotë të të gjitha komunave. Kryetarja e Kuvendit dhe drejtori i USAID-it biseduan edhe mbi çështjet e edukimin dhe shëndetit të vajzave dhe nënave. Zoti Ulliams vlerësoi angazhimet e kryetares së Kuvendit në luftën kundër dhunës në familje dhe për luftën ndaj kancerit. Me një karrierë të gjatë si gjykatës dhe njohës i këtyre kauzave, zoti Uilliams shprehu interes për bashkëpunim në projekte konkrete për të tilla çështje sensitive. Kryetarja e Kuvendit tha se lufta kundër dhunës në familje dhe kundër kancerit mbeten beteja prioritare të saj, ndaj, tha ajo, do të isha shumë e kënaqur për të bashkëpunuar me USAID-in për të fituar këto beteja. Kryetarja e Kuvendit i uroi zotit Uilliams suksese në detyrën e tij, me bindjen në forcimin e bashkëpunimit konkret.
29 Janar 2010