E Diel, 1 Nëntor 2026

Nulifikimi i kufirit, Dora Bakojanin akuzon Ramën dhe Papandreun

ATHINË – Pas reagimit të selisë diplomatike në Athinë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vjen një tjetër reagim nga Athina. Ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, një nga firmëtaret e Marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare për ndarjen e vijës kufitare detare, ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama për nulifikimin e paktit Berisha-Karamanlis. Në shënjestër të akuzave ka qenë edhe kundërshtari i tij politik, kryeministri aktual i Greqisë, Jorgos Papandreu. Madje, Bakojanis e akuzoi zotin Rama për prishje të marrëdhënieve mes dy vendeve. Pasditen e së enjtes ish-kryediplomatja greke shpërndau një deklaratë zyrtare për zhvillimet më të fundit në Shqipëri në lidhje me Marrëveshjen për ndarjen e vijës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Së pari, shpreh keqardhjen për anulimin prej gjykatës shqiptare të kësaj Marrëveshjeje”, - thuhet në reagimin zyrtar të Bakojanis, e cila akuzoi edhe qeverinë e re greke të PASOK-ut, që nuk e dërgoi Marrëveshjen për ratifikim në Parlament, pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për Greqinë”. “Madje, gjatë kohës që unë drejtoja Ministrinë e Jashtme, u mundova ta përfundoja atë sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo marrëveshje duhej të dërgohej në parlamentin grek që javën e parë që ai u hap, me qëllim krijimin e një atmosfere pozitive, e cila do të pengonte këtë fund aspak të këndshëm”, - është shprehur Bakojanis. Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është nxitur nga ekstremistët shqiptarë, me të cilët është bashkuar kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. “Së dyti, anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste të Shqipërisë është se lideri i saj, Edi Rama u bashkua me këto forca. Madje, kreu i PS-së e deklaroi kontestin e tij që prej datës 15 tetor të vitit të kaluar”. “Me vjen keq që partia simotër e PASOK-ut nuk mundi të kalojë stereotipet dhe të bjerë dakord me këtë Marrëveshje”, - thuhet në deklaratën e dalë nga zyra e zonjës Bakojanis. Ish-shefja e diplomacisë greke shton më tej se përgjegjësi për anulimin e paktit ka edhe PASOK-u, i cila nuk i paraqiti palës shqiptare përfitimet nga ky pakt.
“PASOK-u duhej t’i kishte treguar aleatëve të tij në Partinë Socialiste të Shqipërisë, lidhur me përfitimet e palës shqiptare nga kjo Marrëveshje”, - theksoi ish-kryediplomatja e Greqisë. Ai u shpreh se: “Ne i ngritëm marrëdhëniet dypalëshe në një pikë, e cila konsiderohet si më të mirat në historinë e tyre. Insistoj që ajo u përpilua dhe u firmos, duke pasur parasysh të drejtën ndërkombëtare të vendosur nga OKB”, - përfundon Bakojanis. Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, njëherësh, një nga drejtueset e partisë opozitare “Nea Demokracia” ka akuzuar edhe më parë Papandreun, sidomos pas refuzimit të projektit të naftësjellësit Burgas-Aleksandroupulos.
Dy ditë më parë reagoi edhe zëvendësministri i Jashtëm, Dukras, i cili tha se Greqia është shumë e shqetësuar për zhvillimet që kanë të bëjnë me marrëveshjen për ndarjen e vijës kufitare detare në Shqipëri. Ai tha se Athina zyrtare prêt shpjegime nga qeveria shqiptare për situatën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

29 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›