E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e KiE-së, të gjithë njëzëri: Ndal bojkotit

Shqipëria dhe situata politike në vendin tonë ishte kryefjala e punimeve të pasdites në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku deputetët e 47 vendeve evropiane debatuan për bojkotin e opozitës në Shqipëri. Anëtarët e KiE-së u shprehën në favor të rezolutës së paraqitur nga dy reporterët, finlandezi Jaakko Laakso dhe anglezi David Wilshire, duke kërkuar që opozita të hyjë në Kuvend dhe të ngrihet një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Në fillim folën dy reporterë që përgatitën rezolutën të cilët kanë vizituar edhe Shqipërinë. Ata paraqitën propozimet e tyre para Asamblesë dhe kërkuan nga anëtarët sugjerime të tjera. “Ka ardhur koha për kompromis mes liderëve. Bojkoti i Kuvendit nuk është demokratik dhe kjo duhet të marrë fund", - u shpreh David Wilshire, një prej hartuesve të projektrezolutës. “Të bojkotosh Parlamentin do të thotë që të mos marrësh pjesë në aktivitetin e tij. Mazhoranca dhe opozita duhet patjetër të diaogojnë. Duhet të ketë një dialog mes qeverisë dhe opozitës. Duhet të mësohet nga gabimet për të mos pasur më”, - u shpreh reporteri tjetër Jaakko Laakso.
Reagimet
Deputetët e pranishëm në seancë dhanë mendimet e tyre për situatën dhe projektrezolutën. “Ne të së majtës evropiane nuk shohim asnjë arsye që opozita të rrijë jashtë Kuvendit”, - tha një deputet britanik, i cili iu drejtua me një mesazh dy liderëve politikë në Shqipëri, Berishës e Ramës. Ai iu drejtuar Ramës, duke i thënë: “Nuk është më momenti të vijojë bojkoti, por është momenti që të mendoni për problemet e popullit tuaj”, ndërsa Kryeministrit i kërkoi që të ndalë sulmet ndaj opozitës. Të tjerë deputetë që diskutuan, ishin edhe ata francezë, grekë, turq etj., të cilët kërkuan që opozita të kthehet në Kuvend. “Bojkoti nuk e ndihmon procesin e përgatitjes së Shqipërisë drejt BE-së”, - tha një deputet turk.
Rusmali - Përnaska
Deputetë shqiptarë në KiE mbajtën fjalën e tyre në Asamble, duke dënuar bojkotin e opozitës, por njëherësh duke i bërë thirrje asaj të bëhet pjesë e Kuvendit. “Nuk pati asnjë provë të manipulimit në zgjedhje dhe ato u vlerësuan si zgjedhjet më të mira që ka bërë vendi”, - tha Ilir Rusmani në Asamble. Më tej, ai shtoi: “Lideri i opozitës nuk respekton rregullat, se ka probleme në respektimin e tyre. Ai refuzon Parlamentin, edhe pse e njohu rezultatin. Ai refuzon të paraqesë prova në Prokurori edhe pse ai thotë se ka shumë prova. Ne e mbështesim rezolutën, por kërkojmë amendamente në këtë rezolutë”. Deputetja tjetër, Lajla Përnaska, tha se Rama ka krijuar këtë situatë vetëm për qëllime personale. “Duhet të kuptojmë se lideri i opozitës kërkon të luajë. Ai kërkon të përmbushë disa qëllime të tijat personale, duke rrezikuar zhvillimin e vendit. Siç po e shikoni, bojkoti po vijon nga opozita. Ne u kemi bërë thirrje kolegëve socialistë që të vijnë dhe të zënë vendet e tyre në Kuvend”, - tha Përnaska, duke shtuar: “Situata në Shqipëri nuk është aq dramatike” dhe se “kjo situatë në Shqipëri mund të kapërcehet duke e paraqitur atë në mënyrë realiste”.
Wilshire - Laakso
Dy reporterët Wilshire dhe Laakso iu përgjigjën deklaratave të kolegëve të tyre. “Mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm për të mos legjitimuar bojkotin. Dialogu duhet të bëhet në Kuvend”, - tha Wilshire. Reporteri tjetër Laakso iu kundërpërgjigj deputetes Përnaska, duke mos pranuar deklaratën se situata në Shqipëri nuk është aq dramatike. Dy reporterët propozojnë që opozita të ndalë menjëherë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend, ndërsa qeverisë i kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›