Basha: Projekte madhore për të shmangur përmbytjet
Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile po planifikon hartimin e një projekti të madh synimi i të cilit është zgjerimi i kanalizimeve të lumit Buna dhe kullimi i tokave të përmbytura në zonën e Nënshkodrës. Kjo nismë parashikohet që të fillojë brenda gjysmës së parë të muajit shkurt. Ditën e djeshme u zhvillua një takim me partnerët kryesorë të komunitetit të donatorëve, ku u diskutua për nevojat dhe mundësitë e financimit për përballimin e situatës së emergjencës civile që u shkaktua nga përmbytjet natyrore në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Për këtë u vendos edhe organizimi i një konference ku do të marrin pjesë donatorë të ndryshëm e ku do të merren në shqyrtim financime të mundshme me qëllim rehabilitimin e të gjithë zonës.
Gjatë takimit të zhvilluar ministri i Brendshëm Lulzim Basha njëkohësisht edhe kryetari i Komitetit Ndërministror të Emergjencave u shpreh se qëllimi i qeverisë është që të ndërtohen vepra të mëdha infrastrukturore që do të ndihmojnë zonën përmbytjet, ndërkohë që po punohet për normalizimin e situatës. “Është e rëndësishme që në hapin e parë të kryejmë rehabilitimin e dëmeve dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Por ndërkohë, në plan afatmesëm dhe afatgjatë qeveria “Berisha” synon kryerjen e veprave të mëdha infrastrukturore publike, që jo vetëm do të mbrojnë Shkodrën nga përmbytje si këto që ndodhën, por do të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të të gjithë qarkut të Shkodrës”, - u shpreh Basha.
Sipas ministrit të Brendshëm, projektet e vogla konsistojnë në ndërtime argjinaturash, rehabilitim të sistemeve të ujësjellës kanalizimeve apo të shërbimeve të ndryshme publike vendore. Por në plan afatgjatë synimi i qeverisë është realizimi i veprave të mëdha publike, siç është drenimi i lumit të Bunës për ta bërë të lundrueshëm dhe ndërtimi i një by-pass të madh që do të shërbejë si për mbrojtjen e Shkodrës nga liqeni ashtu edhe si infrastrukturë rrugore moderne lidhëse mes akseve rrugore Shkodër - Hani i Hotit dhe Shkodër - Tiranë.
Ndërkohë që gjatë mbledhjes së zhvilluar morën pjesë kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmuth Lohan, zv.ambasadorja e OSBE-së Renate Hermans dhe Manuel Montobio, ambasador i Spanjës, vendit që kryeson Bashkimin Evropian. Në takim ata vlerësuan si mjaft të suksesshëm përballimin e fazës së parë të emergjencës civile nga qeveria shqiptare. Ndërkohë që ata deklaruan se do të mbështesin financimin e projekteve që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e plotë dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja.
Ndihmë është ofruar edhe nga përfaqësueset e Bankës Botërore dhe organizatave të OKB-së me seli në Tiranë, Nuamah dhe Cosslet, të cilët shprehën gatishmërinë për të mbështetur projektet që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Ndërkohë që ata gjithashtu u shprehën se do të kërkojnë mbështetjen nga qeveritë e tyre të Italisë dhe Zvicrës për projektet që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare në zonat e prekura nga përmbytja.
Në takim u mbështet edhe ideja e ndërthurjes dhe mbështetjes me financime për zonat e prekura nga përmbytja edhe nëpërmjet projekteve në vazhdim të donatorëve të huaj.
Gjatë takimit u vendos marrja në shqyrtim së pari nga vetë ministritë e linjës e rreth 180 projekteve për investime lokale të përgatitura nga vetë njësitë vendore të qarkut të Shkodrës. Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile do të vendosë për projektet që do të dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave brenda javës së ardhshme.
Përmbytjet
Reshjet e shumta të shiut përmbytën një pjesë të mirë të Nënshkodrës, duke detyruar banorët e zonës të evakuoheshin nga banesat e tyre në fillim të këtij muaji. Situata e vështirë angazhoi forcat e ushtrisë si edhe ekipet e emergjencave civile që të ndërmerrnin një plan masash me qëllim ardhjen në ndihmë ndaj banorëve. Shkarkimet nga hidrocentralet si dhe prurjet e mëdha të lumit Drin e Buna ishin faktorët të cilët vështirësuan situatën në veriperëndim të Shqipërisë. Uji u fut edhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, duke përmbytur disa dhjetëra shtëpi e duke shkaktuar probleme në lëvizje. Ndërkohë që situata aktualisht është përmirësuar me përmirësimin e motit dhe ndërhyrjen e qeverisë.
Të dhëna
11 400 hektarë është sipërfaqja që u mbulua nga uji në zonën e Nënshkodrës si pjesë e vërshimit të ujit
5148 persona u evakuuan nga banesat e tyre si pasojë e përmbytjeve
2649 shtëpi është numri i përgjithshëm i banesave të mbuluara nga uji