Zëvendëspresidenti i KiE-së, Mignon: Opozita të respektojë rregullat
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean-Claude Mignon, deklaroi dje se opozita duhet të respektojë rregullat dhe mbështeti delegacionin shqiptar në KiE, duke kërkuar që të mos përdoret termi “krizë politike” në Shqipëri. Debatit për rezolutën për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës i parapriu seanca e pyetje-përgjigjeve në Komisionin e Monitorimit. "Ajo çfarë ndodhi sot në Komisionin e Monitorimit, është që dëgjuam një përfaqësues të mazhorancës dhe përfaqësuesin e opozitës për të parë më qartë këtë situatë qe është paksa e ndërlikuar", - deklaroi në këtë seancë zëvendëspresidenti Mignon. Ai mbështeti amendamentin e paraqitur nga Ilir Rusmali në Asamble. “Politika e "karriges bosh" nuk është e mirë dhe besoj se për shkak të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, opozita duhet të kuptojë se duhet të respektohen rregullat. Ka parregullsi, por më thoni cili është sot vendi pa parregullsi zgjedhore. Unë jam francez dhe rregullisht ka zgjedhje lokale e nacionale në vend që mund të anulohen nga Këshilli i Shtetit, pasi konsiderohet që në rrethana të ndryshme ka pasur parregullsi, por jo për këtë arsye duhet hedhur poshtë tërësia e zgjedhjeve. Këtë Shqipëria sot duhet që ta kuptojë”, - u shpreh më tej Mingon. Zëvendëspresidenti i Asamblesë vijoi më tej duke thënë se të gjithë duhet të jenë në Kuvend për të bërë detyrënër të cilën janë mandatuar. “Sot duhet që partitë politike në Shqipëri të sillen si qenie të përgjegjshme që ta drejtojnë më mirë vendin, që ta rindërtojnë atë, për të dëshmuar që nuk ka një krizë, por thjesht probleme kontestimi, që mazhoranca dhe opozita apo opozita e mazhoranca, brenda në Parlament sillen me maturi për të bërë punën që populli shqiptar u ka kërkuar që ta bëjnë. Unë jam pro mendimit që Komisioni i Monitorimit të ndjekë nga afër situatën atje për të parë nëse Shqipëria i respekton angazhimet e saj që kontraktuan ditën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, - deklaroi zëvendëspresidenti Mignon.