Asambleja e PS-së pritet të zgjedhë sot kryesinë

Partia Socialiste pritet të mbledhë sot paradite Asamblenë Kombëtare që do të zgjedhë emrat e rinj për forumin e lartë të partisë. Mbledhja kësaj radhe e cila do të zhvillohet pranë fshatit Ndroq të Tiranës ku asambleja pritet të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët e rinj si edhe kryetarin e saj, post i mbajtur deri më tani nga numri dy i partisë Gramoz Ruçi.
Në bazë të statutit socialist, kryetari propozon listën për kryesinë, ndërsa asambleja mund të bëjë propozime për 1/3 e saj. Në përfundim të votimit në asamble, kryesia e re e Partisë Socialiste do të përbëhet nga 25 antarë. Numri më i lartë i anëtarëve shpjegohet nga drejtuesit e selisë rozë edhe me faktin se asambleja e re e partisë është më e madhe në numër se ajo e mëparshmja.
Ndërkaq për herë të parë zgjedhjet për kryesinë e re pritet të bëhen më votim të fshehtë. Në forumin e lartë pritet të ketë edhe nga ata që njihen si të rikthyer në PS. Ky është në vetvete edhe një ndër problemet që mund të krijojë kryesia e re, në të cilën po diskutohet që edhe emra të njohur të PS-së të mbeten jashtë, për shkak të qëndrimeve alternative ndaj linjës zyrtare.
Vlerësimi sa i takon emrave të rinj që pritet të hyjnë në rradhët e sekretarëve dhe kryesisë do bëhet në bazë të ndarjes territoriale dhe angazhimit në zgjedhjet lokale.
Maratona e përzgjedhjes së emrave nis fjalën e hapjes së kryetarit Rama, diskutimet pa praninë e mediave dhe votimin e 233 anëtareve të asamblesë.