E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez kërkon falje

Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, i ka kërkuar falje tifozëve të klubit për rezultatet zhgënjyese, deri më tani, gjatë këtij sezoni.

Gjiganti nga Anfield Road është eliminuar nga FA Cup në shtëpi, nga Reading, të mërkurën, ndërsa tashmë janë përshëndetur nga Liga e Kampionëve dhe gjenden në pozitën e shtatë në Premierligë.

“Nuk jemi duke luajtur mirë dhe të gjithëve këtu ju vjen keq për tifozët tanë. Por, gjërat mund të ndryshojnë në futboll,l dhe ne kemi besim se mund të përmirësohemi, duke filluar nga ndeshje kundër Stoke, të shtunën”, tha Benitez, gjatë një konference për shtyp, të premten.

Ka kaluar një vit prej shpërthimit të famshëm të Benitezit, kundër menaxherit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, kur Liverpool ishte duke kryesuar në Premierligë.

Në janar 2009, spanjolli kishte filluar një konferencë për shtyp, duke nxjerrë një copë letër dhe lexoi një listë të akuzave rreth sjelljes së Fergusonit ndaj gjyqtarëve, kampanjës së respektit nga Federata Angleze e Futbollit dhe orarit të ndeshjeve.

Ata përfunduan të dytit pas Manchester Unitedit, ndërsa gjatë këtij edicioni kanë pasur rezultate zhgënjyese, pas së cilave shumë tifozë dhe legjenda të klubit, kanë bërë thirrje për shkarkimin e Benitezit, pas humbjes nga Reading.

Por, Benitez në përsëritje të paraqitjes nga viti i kaluar, prapë nxori një copë letër nga xhepi, gjatë konferencës për shtyp të premten, një ditë para ndeshjes kundër Stoke dhe pranoi se klubi është duke kaluar në periudhë të vështirë.

“Jemi duke kaluar në kohë të keqe, nuk jemi duke arritur rezultate të mira dhe e dimë se duhet të përmirësohemi dhe besojmë se mund ta realizojmë. Si mund të përmirësohemi? Duke fituar në fushë. Si mund të fitojmë në fushë? Me punë të madhe. Nëse jam i brengosur për pozitën time, apo të ardhmen e klubit në këtë moment, do të humb përqendrimin. Stoke është ndeshja më e rëndësishme dhe duhet të jemi të përgatitur. Nuk mund të jem i brengosur për gjëra të tjera. E ardhmja ime tani është Stoke”, përfundoi Benitez.

Liverpool synon të fitojë në Stoke, për të përmirësuar shanset e përfundimit në katër pozitat e para dhe kualifikimit për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›