E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e re Kombëtare e PS, 250 numri i anëtarëve

TIRANE-Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet të ketë rreth 250 anëtarë. Pas ndryshimit që është bërë në statutin e PS-së, duket nuk do të ketë një numër fiks anëtarësh të zgjedhur me votim të fshehtë nga delegatët e Kongresit, në 5 nëntor.

Burimet zyrtare nga PS bëjnë të ditur për "Gazeta Shqiptare" se numri i të zgjedhurve mund të jetë mbi 130 anëtarë, ndërkohë që rreth 110 anëtarë të tjerë do të hyjnë automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që kanë në parti. Kështu, në bazë të diskutimeve që janë bërë aktualisht brenda Partisë Socialiste, ata që do të hyjnë automatikisht janë 64 deputetët, 36 kryetarët e Partisë Socialiste në rang rrethi, ish-kryetari i PS-së dhe njëherësh ish-kryeministri Fatos Nanos, ish-Presidenti Rexhep Meidani, ish, kryeministri Ylli Bufi, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi dhe së fundi pjesë automatikisht do të jenë edhe 7 kryetarë bashkish që janë fituar nga PS në zgjedhjet e fundit vendore, në 8 maj. Duke bërë këtë llogari, rezulton që numri i atyre që do të hyjnë automatikisht të jetë rreth 111 anëtarë.

Sipas këtyre llogarive, që janë bërë nga drejtuesit socialistë, asnjë prej deputetëve të njohur tashmë si kundërshtarë të kryetarit Edi Rama nuk mund të përjashtohet nga forumi më i lartë pas Kongresit të Partisë, që është Asambleja Kombëtare. Aty do të jenë të pranishëm edhe Kastriot Islami, Andis Harasani e Arben Malaj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›