Asambleja rrëzon Blushin, Rama niset drejt rikonfirmimitNga Tema Edi Rama nisi dje rrugën drejt rikonfirmimit si kryetar i socialistëve, pasi mori mbështetje masive në forumin më të lartë të PS, Asamblenë Kombëtare. Rezoluta e hartuar pre
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Asambleja rrëzon Blushin, Rama niset drejt rikonfirmimitNga TemaEdi Rama nisi dje rrugën drejt rikonfirmimit si kryetar i socialistëve, pasi mori mbështetje masive në forumin më të lartë të PS, Asamblenë Kombëtare.
Rezoluta e hartuar prej tij u votua nga shumica dërrmuese, ndërsa një rezolutë paralele, e paraqitur nga anëtari i kryesisë, Ben Blushi, u rrëzua. Vetëm 15 vota arriti të merrte Blushi përmes këtij votimi.
Palët ndaheshin në këtë rast në lidhje me qëndrimin që do të mbanin për procesin zgjedhor, por bashkoheshin, kur thoshin se zgjedhjet ishin dëmtuar nga qeveria. Një anëtar tjetër i kryesisë, Erion Braçe, duke iu referuar këtij momenti, tha se në Asamble nuk doli kush që të deklarojë se zgjedhjet ishin të rregullta. Ky qëndrim kontradiktor i Blushit për të njohur zgjedhje pa standarde, duket se ka qenë i rëndësishëm për votimin. Blushi dhe përkrahësit e tij kanë kërkuar që të ketë reflektim për procesin zgjedhor dhe Rama të japë dorëheqjen pa të drejtë rikandidimi.
Rikandidimi
Kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi, ka komunikuar me gazetarët në përfundim të saj dhe ka bërë të ditur përfundimet e votimit.
Ai tha se statuti nuk e pengon Ramën që të rikandidojë. Ruçi deklaroi se është vendosur që të thirret dhe Kongresi i jashtëzakonshëm më datë 29 gusht, ku do të diskutohet për rezolutën zgjedhore dhe për fatin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Ruçi nuk sqaroi se ç’do të ndodhë me postin e kryetarit deri në thirrjen e kongresit, pasi pak më parë Blushi kishte deklaruar se vendimi i KQZ për shpalljen e mandateve i ka ndërprerë mandatin kryetarit Rama. Por Ruçi iu referua disa herë Ramës si kryetar i PS e tha se ai ka zbatuar e po zbaton statutin.
Ndërsa dy zëra të njohur në PS, Erion Braçe dhe Pandeli Majko, thanë se përkrahin rezolutën e Ramës, madje i pari tha se Rama duhet të rikonfirmohet.
Braçe tha gjithashtu se “Ben Blushi është 1 nga 80 mijë anëtarët e PS që zgjedhin kryetarin dhe ai do të lëshojë votën e vet bashkë me mua e të tjerë”, duke paralajmëruar kështu nisjen e votimeve në shtator sipas parimit “Një anëtar, një votë”.
Në fakt teksti i përgatitur nga Rama ka qenë i kujdesshëm. Ai ka pranuar në mënyrë të tërthortë se do jenë në Kuvend për të bërë transparencë të procesit zgjedhor me çdo mjet demokratik, por ka quajtur ilegjitime institucionet e dala nga këto zgjedhje të manipuluara. Socialistët përmes kësaj rezolute deklarojnë se nuk do pranojnë t’u imponohet asnjë rezultat zgjedhor i pasaktë.
Duket se lënia e Kongresit të jashtëzakonshëm në fund të gushtit ka dhe një tjetër domethënie. Socialistët do të presin në këtë mënyrë dhe daljen e raportit përfundimtar për procesin zgjedhor.
Gjatë gjithë mbledhjes që ka zgjatur shumë, Rama mësohet se nuk ka ndërhyrë dhe ka dëgjuar shumë nga folësit.
Në nisje të Asamblesë mediet nuk janë lejuar që të transmetojnë live dhe kjo është kundërshtuar nga Blushi.
Gara
Anëtari i kryesisë, Ben Blushi, që ka qenë zëri më i fortë kundër Ramës në këtë Asamble, nuk ka sqaruar për asnjë moment ambiciet e tij për të garuar. Duket se ai ka pritur dhe këtë rezultat në Asamble për të vendosur. Blushi ka folur për Zërin e Amerikës dhe ka pranuar se edhe ai është pjesë e fajit për këtë mënyrë të bëri opozitë, që solli humbjen. Por ai tha se i kishin lënë rrugë të lirë Ramës të bënte çfarë të donte e më pas të mbante përgjegjësitë vetë.
“Sigurisht, ne mund të kishim folur, por kini parasysh se ne ishim në një betejë elektorale dhe në një betejë elektorale nuk mund të kritikosh kapitenin. Ne ishim në ndeshje dhe nuk mund të merreshim me kapitenin, sepse përballë kishim kundërshtarë. Po të kthehem mbrapa, natyrisht që shumë gjëra mund të ishin bërë ndryshe. Kjo ishte kontrata morale që ne të gjithë kishim me Edi Ramën si kryetar i partisë. Në katër vjet, kontrata ishte që ne nuk e kushtëzonim atë, nuk i vinim pengesa rrugës, në disa raste madje duke e toleruar atë për shkaqe të demokracisë së brendshme të partisë. Kontrata nuk po respektohej; zoti Rama pati një qeverisje pa kushte brenda Partisë Socialiste dhe, megjithëse humbi zgjedhjet, tani po përpiqet, ose ta shpërndajë fajin, ose të mos e njohë atë”, - tha Blushi.
Një tjetër pretendent për garën, Arben Malaj, gjatë fjalës së tij është kujdesur më shumë që të kërkojë nga PS që të mos mbajë qëndrime radikale.
“Qëndrimi jashtë institucioneve, bojkotimi i tyre, mosnjohja e zgjedhjeve, kur tre anëtarët tanë në KQZ i njohën plotësisht ato, nxitimi për qëndrime kategorike pa pritur vlerësimin ndërkombëtar nga OSBE/ODIHR si i vetmi institucion ndërkombëtar që e ka këtë atribut, na heq ne socialistëve çdo argument ligjor dhe politik, dhe e bën forcën tonë politike regresive në raport më institucionet e shtetit ligjor. Kryetari nuk ka qartësuar këtu asnjë solidaritet që ky veprim kaq kritik ka gjetur nga partnerët ndërkombëtarë në vendin tonë, që ndoqën zgjedhjet, nuk na qartësoi që me mandatin e tij të ketë arritur sensibilizimin dhe mbështetjen nga institucione të së majtës evropiane, të europarlamentarëve socialistë në Parlamentin Evropian, të socialistëve evropianë në Këshillin e Evropës dhe institucione të tjera”, - tha Malaj.
Socialistët kanë nisur në këtë mënyrë rrugën e tyre të të bërit opozitë. Shumë shpejt ata do marrin një vendim për kreun e PS, ndërsa në nisje të legjislaturës së re, ata do të kërkojnë vazhdimisht që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke e pasur këtë si objektiv primar. Socialistët kanë tashmë një grup shumë të madh parlamentar, që mund ta bëjë shumë të vështirë punën për një mazhorancë të lindur nga bashkimi i dy partive kundërshtare. Shumë ligje e projekte do kenë nevojë për votat e PS. Kryeministri, Sali Berisha, dhe partia e tij janë akuzuar shpesh se synojnë të përçajnë grupin parlamentar të PS.
Pas vlerësimit që do të marrin zgjedhjet, vjeshta do jetë shumë e rëndësishme për vendin tonë, i cili futet në një fazë të re të krizës ekonomike, por dhe në zhvillime të reja politike. Zgjedhjet problematike nuk prodhuan rotacion dhe ky do jetë një problem më vete për mazhorancën. Timoni i opozitës ka nevojë të drejtohet fort dhe mirë.