E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilësia e zgjedhjeve do ndikojë te shqyrtimi i aplikimitNga TemaPas deklaratës së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se do të marrin në shqyrtim aplikimin e Shqipërisë, pasi të ketë mbaruar procesi zgjedhor, mazhoranca ka nxituar ta përdorë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Cilësia e zgjedhjeve do ndikojë te shqyrtimi i aplikimitNga Tema

Pas deklaratës së ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se do të marrin në shqyrtim aplikimin e Shqipërisë, pasi të ketë mbaruar procesi zgjedhor, mazhoranca ka nxituar ta përdorë këtë mesazh duke bërë fakt të kryer se marrja në shqyrtim e aplikimit do të thotë patjetër se ai do i përcillet Komisionit për të përgatitur një vlerësim. Gjithashtu, mazhoranca ka bërë fakt të kryer se shqyrtimi i aplikimit do bëhet duke pasur në mendje një proces zgjedhor pa probleme.

Por e kundërta është e vërtetë. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, tha gjatë një aktiviteti në Tiranë se, vlerësimi që do u bëhet zgjedhjeve të qershorit, do jetë shumë i rëndësishëm, kur të merret në shqyrtim kërkesa e Shqipërisë. Burime diplomatike kanë folur dhe për mundësinë e ri-aplikimit të Shqipërisë. Megjithatë gjasat janë që raporti i fundgushtit, i përgatitur nga vëzhguesit ndërkombëtarë të ODIHR, të jetë me shumë rezerva për procesin, nisur dhe nga fakti se numërimi ka qenë shumë problematik.

Një deputet i LSI, Dritan Prifti, bëri të njohur një detaj, sipas të cilit vetëm ndërhyrja e Berishës kishte bërë të mundur që të mos i vidheshin votat partisë së tij. Në këtë mënyrë duket se Berisha ka qenë në krye të një operacioni që komandonte se kujt do i ruheshin votat, e kujt jo.

Diplomatët e BE thonë megjithatë se mund të lëshojnë edhe ndonjë sinjal mbështetës për Shqipërinë, por rruga për të do jetë shumë e gjatë.

Edhe deklarata e fundit e Këshillit të Ministrave të BE kishte një rresht për Shqipërinë, që ishte futur me suportin e Italisë. Por burimet thonë se Gjermania, një vend kryesor në BE, që pritet të ketë dhe zgjedhje parlamentare në këtë vjeshtë, nuk është aq entuziaste për aplikimin e Shqipërisë.

Në këtë kohë krizë ekonomike dhe e mbushur me kundërshtime për zgjerimin, BE nuk është gati të bëjë asnjë hap të mëtejshëm.

Vendit tonë iu mohua e drejta e lëvizjes pa viza, ndërsa aplikimi për në BE u quajt një manovër elektorale e Berishës. Brukseli nuk duket më aq i prirur të bëjë favore për një qeverisje që del nga një rezultat zgjedhor i deformuar.

Rotacioni i pushteti dhe një qeverisje e re pas vitit 2005 bënë që Brukseli të nënshkruante MSA me Shqipërinë. Por pas disa kohësh marrëdhëniet me Brukselin u ftohën, për shkak se qeveria nuk arriti të luftonte aq sa shpresohej korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe nuk lejoi që të zhvilloheshin pushtetet e pavarura.

Zgjedhjet ishin një kusht i rëndësishëm dhe shiheshin si historike për vendin, por dështimi me to ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›