Asetet e ish-firmave piramidale, ja procedura e re e shitjes
Asetet e pashitura ende të firmave piramidale do të përshkojnë një mënyrë të re procedimi për t’u nxjerrë në ankand. Me ligjin e vjetër, ankandet kanë qenë të mbyllura dhe me çmim fillestar orientues për shitje të papublikuar. Ndërsa me ligjin e ri, i cili u miratua dje në komisionin e Ekonomisë dhe Financave vetëm me 10 votat e mazhorancës dhe 4 votat kundër të opozitës, ku deputeti socialist Arben Malaj abstenoi, ankandi do të jetë transparent për shitjen e aseteve, që presupozon se çmimi i aseteve do të publikohet më parë se të zhvillohet ankandi, në mënyrë që personat e interesuar të njihen paraprakisht. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.8386 për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë, jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, i ndryshuar, është diskutuar dje në komisionin e Ekonomisë, ku ka ngjallur debate në radhët e opozitës, e cila ka kundërshtuar mënyrën e re të shitjes së aseteve të mbetura të firmave piramidale. Sipas opozitës në komisionin e Ekonomisë 10% e aseteve të mbetura duhet të shiten në atë mënyrë sipas së cilës procedohet edhe me shitjen e objekteve të tjera publike. Bajram Malaj, përfaqësuesi i Grupit Mbikëqyrës të shitjes së aseteve të firmave piramidale, argumentoi gjatë prezantimit të projektligjit në komision se ndryshimi i bërë i dedikohet pengesës ligjore që asetet e mbetura janë pothuajse të zhvlerësuara. Pasi, sipas tij, publiku, në errësirë informacioni përsa i përket çmimit, nuk mund të interesohet. “Mungesa e informacionit ka sjellë si pasojë që nuk ka patur asnjë interesim për asetet e mbetura. Duke mos ditur një çmim fillestar, askush nuk paraqet interes. Çmimi duhet të publikohet pasi të përcaktohet nga ekspertët.”- u shpreh Bajram Malaj. Ndërsa deputeti socialist Arben Malaj, nuk e sheh ngërçin e shitjes së aseteve te mënyra e procedimit të ankandit. Deputeti Malaj kërkoi që rregullat e ankandit të jenë unike jo specifike, pasi, sipas tij, këto asete nuk është se do të krijojnë ndonjë të ardhur në arkën e shtetit. Malaj vlerësoi mënyrën e hartimit të ligjit, duke u shprehur se sa më transparencë të ketë procesi, aq më lehtë është për t’u zhvilluar. Ndërsa, nga ana e tij, deputeti socialist Arben Ahmetaj kërkoi një listë të plotë dhe përfundimtare të aseteve dhe një vlerë vlerësimi fillestar të tyre. “Nuk qëndron ngërçi te procedura e ankandit. “Ju e keni ndryshuar një herë mënyrën. Tani i ktheheni procedurës së dikurshme, për të cilën ju kishit frikë nga abuzimi. Ju në këtë rast ju duhet më shumë marketing për të shitur asetet e ish-firmave piramidale”- u shpreh Ahmetaj. Sipas kreut të komisionit, Edmond Spaho, ka dy vjet që po bëhen tentativa për t’u shitur dhe nuk ka asnjë interes. Asetet, tha ai, do likuidohen në përputhje me legjislacionin. Aktualisht kanë mbetur vetëm 10% të aseteve pa u shitur, të cilat janë fabrika sallami, ndërtesa të vogla dhe 27 apartamente nëpër qytete të ndryshme të vendit. Më parë shitja e tyre është bërë nga Bordi pranë shoqërive huamarrëse. Më vonë, në qershor 2005, ligji është amenduar dhe shitja nuk bëhet më nga ky bord, por nga Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike. Është kompania Deloiten Touche, e cila ka sekuestruar gjithë pasuritë e mundshme të gjithë shoqërive huamarrëse në administrim me vendim të qeverisë.
Disa nga asetet e pa shitura të ish-firmave piramidale
Asetet brenda vendit
-Reparti i Kombinuar i ish-Uzinës Mekanike Bujqësore në Korçë, me sipërfaqe 12 mijë metër katror
-Ish-fabrika e salcës në Fier, me sipërfaqe 13 mijë metër katror
-Fabrika e Tullave në Vlorë, me sipërfaqe 74 mijë metër katror
-Hotel Turizmi në Vlorë, trualli
-Vila Dykatëshe në Kinostudio ( VEFA)
-Truall në Laprakë, 24 mijë metër katror (VEFA)
-Kinoklubi në Ksamil, me vlerë 180 milionë lekë të reja (60% pronë e SILVA)
-Vila dykatëshe, lagjja Partizani (VEFA)
Asete jashtë vendit
Borxhi 3.8 milionë USD nga kompania “Siontis”, Janinë
Borxhi 2 milionë USD nga kompania “Sabo”
Borxhi 2 milionë USD nga kompania “Poseidon”, Athinë
Vila e VEFA-s në Athinë
Borxhi 2 milionë USD nga kompania ajrore “Aviator s.a.”
Rreth 5 milionë USD të bllokuara në një bankë greke prej kompanisë ‘Cenaj’
Të bllokuara 1.2 milionë USD në një bankë austriake të kompanisë (M. Leka)\
Të bllokuara 5 milionë marka në Zvicër, të kompanisë (‘Cenaj’).
-Vilë dykatëshe në Budapest në Hungari (VEFA)
-Anija Piam në Hungari (borxhi 250 mijë euro)
-‘Seant Team’ borxhi 8 milionë USD
-Një llogari bankare e 1 milion USD e bllokuar në një bankë hungareze