E Diel, 1 Nëntor 2026

Saitet e huaja: Shqipëria, fenomen i ri turistik

Saitet e huaja i bëjnë jehonë fenomenit të ri turistik “Shqipëri”, duke thënë se vendi ynë duhet të investojë më tepër në infrastrukturë për të shtuar më tej numrin e turistëve të huaj

Shqipërinë në 8 muajt e parë të vitit 2011 e kanë vizituar 3 mln turistë, 300 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e përkthyer në përqindje 16% më shumë. Të dhënat që i referohen Ministrisë së Turizmit janë publikuar nga disa saite të huaja, të cilat shprehen se destinacioni turistik Shqipëri është një fenomen i ri për turizmin botëror. “Turizmi në Shqipëri është një fenomen relativisht i ri. Që prej 1990-s, kur regjimi komunist pësoi kolaps, turistët perëndimorë lejoheshin të shikonin vendin e shqiponjave në grupe të mëdha dhe të mirëkontrolluara. Pastaj, pas formimit të Republikës Demokratike të Shqipërisë më 1991, turistët ishin në gjendje të vizitonin vendin si udhëtarë të pavarur dhe të interesuar për këtë vend e se sa po zhvillohej.”- citon artikulli i mintel.com. Artikulli në fjalë duke iu referuar të dhënave të Shoqatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNËTO) citon se rajoni Mesdhetar është numri një i destinacionit turistik ndërkombëtar, i cili aktualisht tërheq përafërsisht 1/3 e turistëve të të gjithë turistëve të botës. Megjithatë, sipas këtij artikulli, përqindja pritet të rritet deri në 1/4 e turistëve të të gjithë botës, të cilët do të vizitojnë Mesdheun më 2020, pra 346 mln turistë ndërkombëtarë janë parashikuar të vizitojnë këtë rajon çdo vit në periudhën e vitit 2020 e më vonë. “Vendet e Ballkanit kanë tërhequr rreth 54 mln vizitorë në 2010 dhe parashikohet të tërheqin 79 mln më 2020-ën.

Gjithsesi, Shqipëria është e mirëpozicionuar dhe ka shumë avantazh për milionat turistë ndërkombëtarë të cilët aktualisht vizitojnë Mesdheun dhe, më specifikisht Ballkanin, por aktualisht tërheq një përqindje të vogël të këtij tregu. Pjesërisht përqindja e vizitorëve të huaj krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, i dedikohet infrastrukturës së pazhvilluar, dhe disi imazhi negativ, i cili daton që në kohën ë mbrapsht të epokës komuniste.”- citon artikulli. Megjithatë, sipas artikullit në fjalë, industria e turizmit në Shqipëri po rritet shumë në krahasim me vendet e tjera të Europës, e për më tepër të botës. Sipas artikullit të mintel.com zhvillimi i turizmit shqiptar në këto përmasa i dedikohet kërkesës për të vizituar një vend që sapo ka dalë nga izolimi dhe pozicioni strategjik që ka vendi dhe lidhjet me vendet e tjera fqinje. Në artikull citohet gjithashtu se në vend që të forcojë numrin në rritje të turistëve, Shqipëria duhet të vazhdojë investimet në infrastrukturë si diçka shumë thelbësore për vendin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›