E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asfaltohen kilometrat e pare te segmentit rrugor Shkoder- Hani i Hotit

Kanë filluar të asfaltohen kilometrat e parë të segmentit rrugor Shkodër -Hani i Hotit, konkretisht segmenti në dalje të Koplikut si dhe në by-pass-in e Bajzës.

Brenda 3 muajve të ardhshëm pritet të asfaltohen pjesë të qenësishme të këtij segmenti duke ndikuar dhe në përmirësimin e trafikut në të këtë segment.

Aktualisht po punohet në të gjithë pjesën urbane dhe ekstra-urban, në gjashtë urat dhe në veprat të tjera arti, pjesë të këtij segmenti.

Ministri Olldashi inspektoi ecurinë e punimeve në këtë segment, ku të pranishëm ishin prefekti dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës si dhe drejtuesit e firmës italiane që po kryejnë punimet.

Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi u shpreh se aktualisht është kaluar faza më e vështirë e punimeve, konkretisht faza e punimeve të nëntokës në pjesën urbane të rrugës, dhe të shpronësimeve që shpesh herë kanë paraqitur problematika specifike.

Ndër të tjera, ministri theksoi se aktualisht është duke u ecur shpejt drejt fazave të tjera të ndërtimit të rrugës, në mbushjen, në rilevimet si dhe në disa segmente dhe me shtrimin e asfaltit.

“Brenda një periudhe 3-mujore do të kemi pjesë të qenësishme të këtij segmenti të përfunduara tërësisht çka do të dhe thotë që do të kemi nje trafik shumë më të lirë”, - tha Olldashi

Ndër të tjera, ai falënderoi kompaninë italiane “Claudio Salini &Salvatore Materrese” dhe nënkontraktorët, për vëmendjen që po i kushtojnë mbajtjes në gatishmëri të këtij segmenti, duke patur parasysh dhe fillimin e sezonit turistik, që siç dihet, rrit në mënyrë të ndjeshme trafikun e mjeteve që vjen dhe shkon drejt Malit të Zi nga pika kufitare e Hanit të Hotit.

Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi 39 km është një bashkëfinancim i qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare që kap vlerën e rreth 31.5 milion Euro.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›