Asgjësohen 1323 rrënjë hashash, 4 vetë në kërkim
GJIROKASTËR- Katër persona janë shpallur në kërkim dhe një tjetër ndiqet në gjendje të lirë të akuzuar si autorë të kultivimit të hashashit, pas një operacioni të bërë në Tepelenë dhe Përmet. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Gjirokastrës, e cila sqaron se asgjësimi i kanabisit është bërë në vazhdim të operacionit të koduar "Era e Jugut".
Sipas saj, parcelat me bimë narkotike u vunë re pas monitorimit nga ajri të kryer me helikopter.
Operacioni ka nisur në Komunën Cepo të rrethit Gjirokastër, në pyllin e Levenishtit në faqen e Malit të Gjerë, ku janë evidentuar dhe shkatërruar dy parcela të kultivuara me bimë narkotike.
Parcelat ishin hapur rishtas për të kultivuar bimë narkotike në mes të pyllit, ku në parcelën e parë u evidentuan 420 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa dhe në parcelën e dytë 231 rrënjë bimë narkotike Kanabis sativa, gjithsej 631 rrënjë bimë narkotike. Bimët varionin nga 160 centimetra deri në 3 metra të larta, ku disa kishin lidhur dhe boçe.
"Autori i kultivimit të këtyre bimëve duke përfituar nga terreni shumë i pyllëzuar ka mundur të largohet, por nga provat materiale që u gjetën në vendngjarje dhe nga informacionet e marra në rrugë operative, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore dhe shpallja në kërkim e tij, ku për arsye hetimi nuk bëjmë të ditur emrin e tij"- thonë burimet policore.
Operacioni ka vijuar edhe në rrethin e Tepelenës, në Komunën Qesorat, në përroin e Koshtanit, ku janë evidentuar dhe shkatërruar 3 parcela të hapura rishtas të mbjella me bimë narkotike Kanabis Sativa.
Autori i kultivimit porsa ka parë policinë është larguar, por edhe në këtë rast është bërë dokumentimi me prova ligjore dhe autori është shpallur në kërkim.
Më tej operacioni ka vijuar në fshatin Toç të Komunës Qesorat të rrethit Tepelenë, ku në vendin e quajtur Përroi i Stanit u evidentua një parcelë e hapur rishtas për të kultivuar bimë narkotike.
Operacioni ka vijuar edhe në Komunën Qëndër Tepelenë në fshatin Hormovë, ku në banesën e shtetasit N. Kokona, 79-vjeç, në bahçen para shtëpisë u gjetën bimë narkotike të mbjella.
Operacioni ka përfunduar në Tepelenë ne fshatin Kodër të rrethit Tepelenë , ne vendin e quajtur Përroi i Kovaçit, ku është evidentuar një parcelë e hapur rishtas në të cilën ishin mbjellë 105 rrënnë bimë Kanabis Sativa.