E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjesohen 25 ton produkte ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duke patur në vëmendje impaktin e stinës së verës tek konsumatori por dhe mbarëvajtjen e punës së operatorit të biznesit ushqimor, i cili është përgjegjës për garantimin e sigurisë ushqimore në vendin tonë, ka zhvilluar një sërë inspektimesh dhe kontrollesh gjatë sezonit të stinës së nxehtë. Në fokus të këtyre inspektimeve kanë qenë Stabilimentet e prodhimit, manipulimit dhe tregtimit të produkteve me origjine shtazore dhe të produkteve me origjinë joshtazore, magazinat ushqimore, supermarketet si dhe baret e restorantet sidomos në pikat turistike.

AKU i ka përqendruar kontrollet në subjektet e mësipërme duke patur parasysh madhësinë dhe sasinë e produkteve që operatori I biznesit ushqimor prodhon dhe tregton, problematikën e inspektimeve të mëparshme, pasi AKU funksionon në bazë të një plani vjetor inspektimesh, dhe nga llojshmëria (Gama) e produkteve ushqimore që tregton duke u fokusuar në produktet me origjinë shtazore, si dhe produktet me origjinë joshtazore të cilat konsumohen me shumë në periudhën e verës (uji, birra, pijet freskuese, patatinat etj)

Gjatë periudhës Qershor – Korrik AKU ka kryer më shumë se4000 Inspektime në të12 qarqet e vendit duke bllokuar dhe asgjësuar më shumë se25 ton produkte ushqimore të cilat janë konsideruar jashtë parametrave dhe si shumë të dëmshme për konsumatorin. Është pezulluar aktiviteti i 20 subjekteve deri në përmbushjen e detyrave të lëna për zbatim dhe është marrë masa administrative e gjobës për 18 subjekte të tjera.

Problematikat kryesore të cilat janë hasur gjatë kontrolleve në stinën e nxehtë janë:
- Produkte ushqimore pa etiketë në gjuhën shqipe.
- Punonjës pa uniforme dhe të patrajnuar.
- Menaxhim jo i mirë i mbetjeve në linjën e prodhimit.
- Subjekte që nuk i kanë të ndara produktet ushqimore nga ato jo ushqimore (industriale).
- Nuk kanë plan për dezinfektimin dhe deratizimin e stabilimentit.
- Kushtet e higjienës nuk janë brenda kërkesës së legjislacionit në fuqi.
- Produkti i gatshëm shpesh është në të njëjtën magazinë me produktin gjysmë të gatshëm apo ambalazhin

Ndërkohë duke qenë se fryma e inspektimeve të mësipërme nga ana e AKU nuk është penalizimi i operatorit të biznesit, në rastet kur është konsideruar e arsyeshme nga ana e inspektorëve janë lënë detyra për zbatim për tu kontrolluar në një afat të përcaktuar. Gjatë këtij plani inspektimi në varësi të problematikave të vërejtura, janë lënë këto detyra:
- Të mos tregtohen produkte të importit pa etiketë në gjuhën shqipe,
- të rinovohen librezat shëndetësore,
- të bëhen analizat e produktit përfundimtar,
- lënda e pare, të shoqërohet gjithmonë me certifikata cilësie dhe fletë-analiza,
- të kryhen analizat e ujit që përdoret në prodhim,
- Mishi të tregtohet i vulosur dhe produktet e tjera me origjinë shtazore të shoqërohen me certifikatë veterinare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›