Asgjesohet kanabis, hetohet i lirë 77-vjeçari
Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet në gjendje të lirë për shtetasin Esat Dinaj, 77-vjeç, nën akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas burimeve policore mësohet se të moshuarit iu gjet një parcelë e mbjellë me kanabis.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një parcelë të kultivuar me bimë narkotike në fshatin Shëntodhër të Komunës Lunxhëri të rrethit Gjirokastër, ka organizuar një kontroll në këtë fshat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër”- thanë burimet e policisë.
Si rezultat i këtij kontrolli u bë i mundur evidentimi i një parcele brenda një stalle bagëtish në fshatin Shëntodhër në pronësi të shtetasit Esat Dinaj, lindur në Hormovë dhe banues në Shëntodhër Gjirokastër.
“Në këtë parcelë ishin mbjellë 103 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 220 centimetra të larta deri në 260 centimetra”- thanë të njëjtat burime.
Në momentin e kontrollit nga ana e policisë në këtë parcelë është gjetur i zoti i kësaj parcele shtetasi Esat Dinaj, i cili ka pohuar se e ka mbjellë vetë.
Policia bëri asgjesimin e këtyre bimëve me anë të djegies, ku disa bimë u morën në cilësinë e provës materiale. “Shtetasi Esat Dine për shkak të moshës së thyer do ndiqet penalisht në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, vepër kjo e parashikuarnga neni284 i Kodit Penal”- tha policia.