Nafta, prodhimi stabël, çmimi do të vazhdojë të bjerë
Çmimet e tregtimit të naftës do të vijojnë të luhaten në varësi të sjelljes konsumatore. Në raportin e fundit të saj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka deklaruar se ulja e kërkesës reflektohet edhe në sasitë e blerjeve në tregjet financiarë të cilët gjatë kohëve të fundit në bazë të kërkesës kanë ulur në masë çmimet e tregtimit të arit të zi.
Sipas Agjencisë deri në fund të këtij viti kërkesa botërore do të qëndrojë në nivelin 86.9 milionë fuçi në ditë, një nivel ky i pandryshueshëm. Furnizimet me naftë, nga ana tjetër sipas raportit do të vazhdojnë të qëndrojnë në nivele të forta e pa lëkundura.
Për muajin korrik, prodhimi ditor botëror i naftës arriti në 87.8 milionë fuci naftë në ditë, duke shënuar një rritje me 89 mijë fuci nga muajin Qershor. Sipas raportit, dobësimi i kërkesës, lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike në nivel botëror, e cila ka filluar të shënojë një ngadalësim të dukshëm.
Rënia si e kërkesës konsumatore ashtu edhe blerësve ka bërë që çmimi i naftës të bjerë me 30 $, apo 20 %, pas niveleve rekord të 147 $ për fuçi. Sipas përfundimeve të nxjerra në raport, mesatarja e çmimit të arit të zi për këtë vit do të jetë 124 $ për barrel, nga 133, parashikim ky që u bë në muajin korrik. Por pavarësisht kësaj rënieje të menjëhershme, kërkesa për karburante në vendet e zhvilluara perëndimore vazhdon të qëndrojë e fortë, dhe kjo ka ardhur edhe për pasojë të tensioneve gjeopolitike, në Nigeri dhe vendet e tjera. Sipas raportit, për 2009-ën konsumi i naftës do të arrijë në 87.8 milionë fuçi naftë në ditë, 90 mijë fuçi më shumë se viti aktual, duke bërë që kërkesa në këto vende të pësojë një rritje me 3.8 %.