E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashensori socialist i karrierës brenda Partisë

19-10-2011 / Redaksionale

Në rrjetet sociale në internet (facebook, twitter, youtube, myspace), po qarkullon një video e Televizionit publik Shqiptar, që i referohet Festivalit Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1988. Një video e bujshme e cila ka pasur deri më sot rreth 41 839 vizitorë dhe dita ditës po shtohen shikuesit, bile shumë prej komenteve kanë në qendër të vëmendjes duetin e dy djemve imcakë nga fshatrat e Librazhdi, që këndojnë vargjet enveriste “Moj kala e festivalit... ke në mes xhaxhin Enver”, për më shumë se një minutë e 33 sekonda.
Mirëpo ç’ka shtuar numrin e klikimeve të kësaj videoje, është prania e një pionieri komunist të shndërruar sot në një deputet socialist. Kuptohet vetiu që diktatura në Partinë Socialiste si e bija Partisë Komunistë jo vetëm pranohej, por edhe i këndohej. Po, po një djalosh nga Librazhdi, i quajtur Taulant Balla (sot deputet) i këndonte Enver Hoxhës në festivalin folkloristik të 1988. Gjithë patos, ai i këndonte Shqipërisë së ndërtuar nga Enveri. Si një pionier i Enverit, Taulanti me origjinë nga fshati Kstenjë i komunës Lunik në Librazhd në një familje të arsimuar, babin mësues e nënën infermiere. Rreth moshës 10 vjeçare familja e tij iku nga fshati për t’u zhvendosur në qytetin e Librazhdit. Rreth klasës së 8-të filloi të shfaqte më shumë aftësinë e tij komunikuese ose me gjuhë të thjeshtë, të binte në sy, ndërsa në vitin e 4 gjimnaz ai organizoi “Miss Matura” një spektakël i plotë me këngë, balet e sfilatë me të cilin u bë i njohur mes bashkëmoshatarëve të tij. Gjatë gjimnazit ai u angazhua shumë edhe me FRESH-in, forum i cili i hapi rrugën për në Partinë Socialiste, ndërsa prej tre legjislaturash ai është deputet i Librazhdit në Kuvend. Sot Balla, 23 vjet pasi këndoi këngën e famshme, nuk është bërë këngëtar, por deputet, ashtu sikurse Rama nuk u bë as piktor dhe as këngëtar, por drejtues politik i PS. Megjithëse ndryshe nga Rama, Balla mundohet ta fshehë që ka qenë këngëtar. Madje në një të përditshme ai ka deklaruar “Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në Festivalin Folklorik. Do të kisha dashur. Atë videon e kam parë dhe ata dy djemtë që këndojnë janë nga Rrajca e Librazhdit”. Ka gjasa që Taulanti të mos e njohë veten, ose kërkon të fshehë gjurmët. Edhe pse e ka të vështirë kur gjithçka është me zë dhe figurë.
Mirëpo një tjetër njeri që ka frikë nga fotografimi i së kaluarës është Fatmir Xhafa, që ka një foto me shall-pionieri duke i dhuruar buqeta me lule merhumit Hoxha, dhe shokët i kujtojnë kur bërtiste në zbore dhe aksione. Revistat komuniste kanë qenë mbushur me fotot e tij në tribunë... Ai përqafoi Hoxhën në tribunën e byrosë, dhe tribu-ja i dha mundësinë atij të ishte eksperti ligjor i PS-së përgjatë dështimeve ligjore të njëpasnjëshme të Partisë Socialiste, në Gjykatën Kushtetuese dhe Kolegjin Zgjedhor. Njeriu që e festoi 51 vjetorin në grevën e urisë pa humbur asnjë kile meriton një medalje.
Sido që të jetë morëm shembull këta dy deputetë të Partisë Socialiste për veçantinë e tyre, duke qenë se janë përzgjedhur jashtëzakonisht jashtë kritereve të përcaktuara nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Kriteret për Ramën janë dy: e para duhet të jesh pjesë e frymës së kaluar, qoftë bij dhe mbesa të nomenklaturës komuniste, dhe së dyti janë mundësitë financiare të biznesmenëve dhe afaristëve të beton-armesë, që ushqejnë dëshirat e tij të ethshme për të sunduar. Për të ardhur në pushtet Rama është i gatshëm të bojkotojë, protestojë, të demonstrojë dhunshëm, me greva urie, me bojkot të reformave sepse interesi personal qëndron më lart sesa interesi nacional.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›