KiE: Zgjedhjet e 8 majit, më të mirat e mbajtura ndonjëherë – të nisë dialogu mes partive politike
Kongresi i Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës miraton rezolutën për Shqipërinë
UPDATE- Asambleja Parlamentare e KiE ka miratuar sot një rezolutë për Shqipërinë ku i kërkon partive politike të nisin urgjentisht dialogun dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për arritjen e standardeve për zgjedhje më të mira. Rezoluta u miratua gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal në Këshillin e Europës ku u diskutua për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe rekomandimet për zgjedhje më të mira. Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, KiE i bëri thirrje liderëve të partive politike shqiptare të tregojnë maturi në ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë për integrimin në familjen evropiane. Gjatë seancës së Kongresit të Autoritetit Rajonal dhe Lokal të Këshillit të Europës u diskutua raporti mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri i hartuar nga raportuesi i Partisë Popullore, Volkram Gebel. Në këtë raport thuhet se zgjedhjet lokale të 8 majit ishin shumë të rëndësishme dhe ato u zhvilluan në mënyrë demokratike.
Raportuesi Volkram Gebel: Zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe me standarde – Shqipëria u paraqit si vend pranë BE-së
Raportuesi i partisë popullore Volkram Gebel, duke paraqitur raportin e tij para Kongresit, ka vlerësuar bashkëpunimet me institucionet shqiptare, duke i konsideruar ato të jashtëzakonshme.
“Këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme, ato ishin zgjedhje demokratike. Kemi parë progres nga autoritet shqiptare për transparencën e zgjedhjeve. Raporti ynë i konsideron zgjedhjet shumë të mira dhe transparente. Organizimi ishte shumë i mirë dhe transparent”- tha në fjalën e tij Gebel. Gebel tha se zyrtarët që u trajnuan në ditën e zgjedhjeve ishin të përfshirë në këtë proces për të pasur zgjedhje sa më transparente. Më tej, ai shtoi se vëzhgimi i zgjedhjeve u krye normalisht. “Momenti i numërimit të votave solli mjaft tensione. Dy polet partiake sollën interpretimet e tyre. Në Shqipëri kishte një polarizim politik. Opozita vraponte të thoshte rezultatin para se gjithçka të ishte zyrtare”- theksoi Gebel. Ai tha se tashmë kemi bërë të ditur rezolutën për zgjedhjet në Shqipëri. “Në këtë rezolutë ne kemi parë se fushata zgjedhore duhej të rezervohej në situata lokale dhe në lidhje të forta me kandidatët”.
Gebel tha se Kongresi ka sjellë në vëmendje në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri se situata ka qenë e qetë. Raporteri i Popullorëve Evropianë, vuri në dukje se këto zgjedhje e njohën Shqipërinë si një vend kandidat në BE. “Në propozojmë të ketë një forcim të marrëdhënieve mes partive politike, për të pasur veprime të hormanizuara mes palëve”. Gebel shtoi se Kongresi del në konkluzionin se në Shqipëri është bërë një punë e madhe për zgjedhjet. “Partitë duhet të nisin dialogun për të pasur zgjedhje më të mira. Kongresi i KiE rekomandon bashkëpunim për zgjedhje më të mira”- deklaroi më tej Gebel.