E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashpersohen luftimet ne Libi. Rritet bilanci i viktimave

Kryengritësit kundër regjimit të kolonel Gadafit në Libi kanë mundur të përballojnë një sulm të forcave qeveritare, duke mbajtur kontrollin në qytetin e Zauajas, vetëm 50 km në perëndim të Tripolit. Luftime të ashpra janë raportuar në orët e hershme të mengjesit, dhe të dhënat e para tregojnë për një numër të madh viktimash. Një nga kryengritësit citohet nga BBC të ketë thënë se ata i kanë nxjerrë jashtë qendrës së qytetit tanket e qeverisë.

Ndërkohë, kryengritësit thonë, gjithashtu se kanë mposhtur trupat besnike të Kolonel Gadafit edhe në portin e naftës në Ras Lanuf në lindje të Tripolit. Raportimet nga Zauajia thonë se qyteti u sulmua si në lindje dhe në perëndim dhe të paktën 18 persona kanë mbetur të vrarë.

Vëzhguesit thonë se është e vështirë të përcaktosh balancën e pushtetit, ndërsa beteja për kontrollin e Libisë vazhdon. Por, nga ana tjetër korrespondentët e terrenit thonë se kryengritësit kanë nga ana e tyre një vendosmëri të madhe që nuk e kanë trupat e kolonel Gadafit. Një numër i madh libianësh duken të vendosur të luftojnë deri në fund.Gjithsesi, edhe trupat qeveritare ndodhen në pozicione luftimi dhe beteja të tjera priten në vazhdim.

Ndërkohë, një grup vendesh kryesisht të Amerikës Latine aleate të liderit majtist të Venezuelës Hugo Chavez, kanë mbështetur planin e këtij të fundit për një mission ndërkombëtar paqeje për krizën në Libi. Grupi ALBA mbështeti iniciativën e Chavez që sipas tyre qëndron mbi parimin e mosndërhyrjes dhe respektimit të pavarësisë së Libisë.

Vetë Chavez, duke folur nga pallati presidencial, ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërhyjnë ushtarakisht në Libi. Shanset e tij për të zgjidhur krizën janë të pakta pasi si kryengritësit, ashtu edhe djali i kolonel Gadafit, Saif al Islam nuk e kanë pranuar ndihmën nga Venezuela.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›