Ashton: Aksioni në Veri të Kosovës, nuk duhet përsëritur

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton. Në këtë takim, Jahjaga tha se Kosova dhe populli i saj duhet të kenë një rrugë të qartë për liberalizim të vizave, për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe për bashkëpunimin ekonomik.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duhet të ketë sukses dhe rezultatet tashmë po shihen”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, Ashton mësohet të ketë theksuar nevojën e një bashkëpunimi më të mirë me misionin e EULEX-it dhe të KFOR-it. Përsa i përket aksionit në Veri të Kosovës, ajo ka shprehur pakënaqësinë e BE-së me “aksionin unilateral në këtë pjesë". Në këtë drejtim, Ashton ka shtuar se një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më.