Kosovë, Dell: Besimi në institucione, shmangu dhunën

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Në fjalën e tij, ai theksoi se javët e fundit, është parë se si liderët lokalë dhe institucionet e Kosovës, mund të punojnë së bashku për të ndërtuar një ambient të sigurt.
“Mendoj se përparësia pas 25 korrikut qëndron pikërisht në faktin, sesi liderët politikë të përgjegjshëm, pastaj udhëheqësit religjiozë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, vendosën besimin në institucione. Dhe si rezultat nuk pamë dhunën ndëretnike sikurse në vitin 2004, por pamë një vend stabil, paqësor dhe rezistues ndaj atyre që tentuan të provokojnë konflikt ndëretnik midis komuniteteve”, u shpreh Dell.
Ndër të tjera, ambasadori amerikan theksoi se SHBA-ja është e përkushtuar për të parë zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit, përfshirë edhe krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.
“Siç e kemi parë në komunat e reja në Kosovë, liderët legjitimë të zgjedhur janë më të përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ai tha po ashtu, se ky është proces i duhur që përmes liderëve të zgjedhur, strukturat paralele në prapavijë do të zhduken, sepse qytetarët nuk do të kenë nevojë t`u drejtohen atyre.