E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Inkurajojmë dialogun, garantoni zgjedhjet

SHKRUAN: Dardan Malaj 01-04-2011 16:53

Bashkimi Europian e ka parë me optimizëm rikthimin e tryezës së bisedimeve midis përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe asaj socialiste. Në një deklaratë të posaçme, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme në BE, Catherine Ashton konstatoi rëndësinë e konsolidimit të dialogut. “Në vijim të bisedimeve në Tiranë më 26 janar, 3 shkurt dhe 22 mars 2011, midis të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajcak dhe Presidentit, Kryeministrit e liderit të opozitës në Shqipëri, përfaqësuesja e lartë mirëpret takimin e zhvilluar mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste”, thuhet në këtë deklaratë. Në vlerësimin e baroneshës Ashton, mungesa e kontakteve të tilla direkte ka qenë një burim shqetësimi dhe ka shkaktuar zvarritjen e progresit të Shqipërisë. “Bashkimi Europian ka nënvizuar, më shumë se një herë, rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thotë Ashton. Më tutje, ajo konstaton se kryerja e këtyre zgjedhjeve të drejta është thelbësore për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe aspiratat e saj dhe kjo është e domosdoshme që të fitojë besimin e elektoratit. Ashton insiston se liderët politikë janë përgjegjës për zhvillimin e mirë të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve. Duke u nisur nga takimet e fundit, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme u kërkon mazhorancës në qeverisje dhe opozitës që të vijojnë të thellojnë dialogun e tyre, brenda, ashtu sikurse edhe jashtë parlamentit, me qëllim garantimin e përgatitjeve më të mira për zgjedhjet e ardhshme dhe progresin që dëshirojnë qytetarët e Shqipërisë për vendin e tyre. Dy ditë më parë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, deklaroi në Tiranë se ngërçi politik duhet zgjidhur, me qëllim që progres-raporti i ardhshëm për Shqipërinë të jetë pozitiv. Në vizitën e tij të shkurtër, ku mori pjesë në një seminar të bashkëdrejtuar nga Ministria e Integrimit dhe Komisioni Europian, lidhur me 12 prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të ketë për të ecur në rrugën e saj europiane, Fule dha edhe një deklaratë për mediat. Ai e vuri theksin te zgjidhja e ngërçit, duke paralajmëruar se në të kundërt, për Shqipërinë do të ketë pasoja. “Ngërçi duhet të zgjidhet. Është përgjegjësi e përbashkët e udhëheqësve politikë në Shqipëri. Kjo është çka shqiptarët presin dhe kanë të drejtë ta kenë. Ngërçi përbën pengesë serioze të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit dhe kritereve për integrimin në BE” - nënvizoi Fyle në mesazhin e tij. Ai ka kërkuar që partitë politike të ndërmarrin hapa konkretë në një afat të shkurtër kohor. “Nëse nuk gjeni asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë asnjë vlerësim pozitiv në progres-raportin tonë të ardhshëm dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës europiane së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, por mund të ngelet prapa nga fqinjët e saj aspirues për në BE”, tha Fule. Për këtë arsye, komisioneri për zgjerimin, Fule, ka inkurajuar të dyja palët për të bërë një dialog konstruktiv, të përmirësojnë funksionin e Parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së. Lidhur me zgjedhjet vendore të 8 Majit, Fule theksoi domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor sipas standardeve europiane. “Shqipëria nuk mund të humbë këtë mundësi... Bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet partive për implementimin e praktikave të OSBE/ODIHR-it është çelësi i suksesit dhe mundësi për të çuar ngërçin drejt fundit", - tha Fule

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›