Basha premton në Kombinat: Tramvaj për qytetarët
Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje takime me banorët e kombinatit. “Një orë bëjmë të shkojmë në Tiranë me autobus”, i thanë banorët dje, Lulzim Bashës. Ky i fundit, dëgjoi shqetësimet e banorëve për transportin, dhe i siguroi ata se ai e kishte zgjidhjen. “Pikat më të largëta do të kenë lidhje shumë më të mira përmes tramvajit, rrugës së vet të dedikuar dhe të pavarur nga trafiku”, - u tha Basha banorëve. Duke u shprehur se transporti publik mbetet për ta një problem i vazhdueshëm, banorët shprehën shqetësimin, edhe për mungesën e pusetave dhe pasojat që sjell kjo situatë. “Ujërat e zeza janë ngado. Rrugët janë të prishura. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Të moshuarit nuk kanë një hapësirë ku të çlodhen”, u shpreh një tjetër qytetar, gjatë takimit me Bashën. “Do ta bëj rrugën, por do ta bëj me plan zhvillimi, ku të ketë edhe shesh për të luajtur fëmijët, dhe për të kaluar kohën të moshuarit”, - u angazhua kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës. Ai u premtoi atyre se problemet që ata kanë do të kenë vëmendjen e tij të vazhdueshme, kur ai të jetë në krye të Bashkisë. Dje ishte dita e pestë e fushatës së kandidatit për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, në turin e tij të dëgjimit të shqetësimeve të banorëve dhe ofrimit nga ana e tij të zgjidhjeve për problematikën e akumuluar në vite.