E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS, negociatat për zgjedhjet ngecin tek kutitë

TIRANË- Firmosja e marrëveshjes mes dy partive kryesore në vend, PD e PS, varet vetëm nga fakti nëse opozita do t’i shkojë deri në fund kërkesës së saj për transparencën post-zgjedhore, që për të nënkupton ndryshim në Kodin Zgjedhor. Mësohet se negociatat e deritanishme kanë ecur mirë mes dy forcave kryesore politike, ku parimisht janë pranuar disa propozime të rishikuara nga ana e PS-së, që tanimë për PD-në konsiderohen konform ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Por pika ku partitë duket se nuk lëshojnë “pe” është pikërisht transparenca post-zgjedhore, që lidhet edhe me ndryshimet në Kod. Për Partinë Demokratike transparenca post-zgjedhore sigurohet më së miri edhe me përmbajtjen e Kodit aktual Zgjedhor. Ndërsa për PS-në pretendohet e kundërta, duke risjellë në vëmendje edhe praktikën e ndjekur në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Megjithatë, PD-ja është shprehur edhe njëherë gjatë negociatave, se për këtë çështje duhet të merret një vlerësim paraprak nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias, një qëndrim ky i shprehur edhe dy ditë më parë në tryezën e dytë të bisedimeve. Konkretisht për transparencën post-zgjedhore, PS-ja kërkon që në bashkëpunim me PD-në të bëjnë ndërhyrjet e duhura ligjore në pjesë të Kodit Zgjedhor, që rregullojnë ruajtjen dhe administrimin e kutive zgjedhore, duke përcaktuar ato modalitete ligjore, që mundësojnë aksesin e plotë për qëllime hetimi nga organet e interesuara, përfshirë edhe komisionet hetimore të kuvendit. Një kusht tjetër i PS-së është edhe pajisja në disa qendra votimi e komisionerëve me makina leximi për verifikueshmërinë e kartave të identitetit. Por në ditën e dytë të tryezës mes partive parlamentare, ky obsion ka rënë dhe duket se për këtë kusht nuk do të diskutohet më. Ndërkohë palët janë afër zgjidhjes, sa i përket transparencës së listave të zgjedhësve, gjithnjë bazuar në ato pika që parashikon ligji aktual. Ligjshmëria në KQZ është zgjidhja tjetër mes dy partive, por gjithnjë për ato raste që nuk cenojnë pavarësinë e kësaj të fundit. Megjithatë, gjithçka konkrete pritet që të zbardhet vetëm sot. Mesohet se negociatorët e dy partive, eksperti ligjor i PS-së, Damian Gjiknuri dhe ai i PD-së, Oerd Bylykbashi, vazhdojnë të negociojnë me qëllim daljen në një dokument të përbashkët, që do të përafronte të dy draftet e propozuara. Paraprakisht, PS-ja ka rënë dakord me të gjitha pikat e draft-marrëveshjes së propozuar në tryezën e parë të bisedimeve nga kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›