E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton Kujdes me zgjedhjet ne ju monitorojme

Pas takimeve që pati me kreun e shtetit shqiptar, Kryeministrin dhe kreun e opozitës,përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton, në një deklatë për media theksoi se për Bashkimin Evropian është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane dhe se zgjedhjet janë një test për mirëfunksionimin e institucioneve të vendit dhe ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, Ashton u shpreh se ia ka bërë të qartë qëndrimin e BE-së Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama në takimet respektive që pati me ta. Baronesha theksoi se përgjegjësia e politikanëve është sigurojnë pavarësinë e institucioneve, ndërsa kujtoi se BE është e angazhuar për të monitoruar dhe për të mbështetur një proces të lirë dhe të ndershëm. Në fjalën e saj, Ashton përcolli mesazhin e Brukselit se Shqipëria duhet të marrë përsipër sfidat, të ecë përpara dhe duke bërë këtë Bashkimi Evropian do të jetë pranë për të dhënë ndihmën e tij. "BE është vërtetë i përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe ne duam që vendi juaj të ecë përpara me një ritëm të mirë, por progresi drejt rrugës së BE-së është në duart tuaja. Elementët kyc për progres janë dialogu i mirëfilltë dhe konstruktiv mes palëve, sidomos me cështjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", tha Ashton. Ashton: Politikanët të tregohen të përgjegjshëm Ne njoftimin e bere publik nga Zyra e Presidencës, Ashton gjatë takimit me Nishanin u shpreh se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër. Nga ana e tij Presidenti Nishani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian, duke falenderuar Bashkimin Europian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit. Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›